#DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Havolli: LDK i Ka Çkapë Institucionet e Kapura nga PDK

Subjektet kryesore në garë për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit paraqitën planet e tyre për të evituar evazionin fiskal siç ka ndodhur në vitet e mëparshme të qeverisjes.

Këtë plan ata e zbuluan në ‘Debat Përnime’ që po transmetohet në RadioTelevizionin 21.

Haki Shatri, përfaqësues i koalicionit PDK-AAK-Nisma, arsyetoi mangësitë e mbledhjes së tatimit në mandatin e tij si ministër i Financave me gjendjen e institucioneve atëbotë në Kosovë.

“Na kemi qenë një lloj implementuesi dhe kemi bashkëpunuar sa na u ka dhënë hapësira. Në mandatin tim ka ndodh ndërtimi i institucioneve”, tha Shatri.

Ndërkaq, Shyqiri Bytyqi tha se plani i PAN-it për evazionin fiskal do të krijojë ulje prej 25 për qind të këtij fenomeni.

“Duhet të bëhet reformim total i ATK-së. Problemi më i madh aty është polarizimi politik i skajshëm. Ne kemi njerëz profesional që po pësojnë nga presionet politike. Kanë bërë ndryshime të menaxhmentit, secili person lart është ndërruar sipas preferencave të politikës. Me një menaxhim të mirë, brenda 2 viteve, evazioni fiskal do të ulet për 25%”, tha Bytyqi.

Në anën tjetër, Sokol Havolli, përfaqësues i koalicionit LDK-AKR, për këtë çështje vlerësoi se LDK ka bërë punë të mirë deri më tani në qeverisje.

“LDK i ka çkapë institucionet kryesore që kanë qenë të kapura nga ata që nuk janë këtu (PDK).Te 41 mijë vende të punës na kanë thanë se i kemi kthyer. Nga 1 janari deri më sot shifra e të rinjve të punësuar është më shumë se 41 mijë”, tha Havolli.

Ndërkaq Driton Tali nga Lëvizja Vetëvendosje konsideroi se vetingu është mënyrë më e mirë për ta zhdukur ekonominë informale.

“Këta njerëz e kanë sjellë Kosovën në këtë derexhe, këta njerëz nuk mund ta luftojnë korrupsionin se janë të korruptuar vet. Vetingu është kusht”, tha Tali

E Kujtim Paçaku nga Partia e Re e Romëve të Kosovës tha se tatimet në Kosovë nuk përfundojnë në vendin e duhur.

“Në mënyrë të pavetëdijshme nuk mund të kuptoj pse pagesat tona të tatimeve përfundojnë në destinacione të ndryshme”, tha Paçaku.

Në debatin e sontëm, të dytin me radhë, nuk ka marrë pjesë përfaqësuesi i PDK-së ndërsa AAK e NISMA e pranuan ftesën.