Nënshkrimi i njërit nga memorandumet | Foto: Facebook

Haradinaj: Marrëveshjet nuk do të Përfundojnë në Sirtar

Kandidati për kryeministër i Koalicionit PDK- AAK- Nisma Ramush Haradinaj shkroi sot se marrëveshjet me sindikatat do të zbatohen.

Ramush Haradinaj siguroi përfaqësuesit e katër sindikatave me të cilat Koalicioni PDK- AAK- Nisma ka nënshkruar marrëveshje se ato do të zbatohen.

Ky koalicion gjatë katër ditëve të kaluara nënshkroi memorandume mirëkuptimi me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK); Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) dhe Lidhjen e Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës (LPIK).

Haradinaj shkroi në Facebook se ato nuk do të përfundojnë në sirtar, e as nuk do të harrohen.

“Partnerët që kanë vendosur nënshkrimin në këto memorandume, por edhe punëtorët dhe pensionistët që përfaqësohen nga këto sindikata, i siguroj se çdo gjë që është shkruar aty do të jetësohet sipas afateve të parashikuara dhe marrëveshjeve të përmbyllura”, shkroi Haradinaj.