Çmimet për videot e fushatës së DnV-së | Foto: DnV

Delawie Kërkon Ditë të Qetë të Zgjedhjeve

Në ceremoninë ku “Demokracia në Veprim” ndau pesë çmime për videot më të mira të fushatës #as unë nuk do të votoj për kandidatët e korruptuar, ambasadori amerikan Greg Delawie foli për ditën e zgjedhjeve.

“Ju bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë publikisht të dënojnë kërcënimin e kandidatëve dhe të votuesve dhe të ndihmojnë që dita e zgjedhjeve të jetë e qetë”, tha Delawie.

Edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova e pranishme në ceremoni bëri thirrje për të votuar pa frikë.

“Shfrytëzoni votën tuaj dhe mos lejoni që të tjerët ta shfrytëzojnë atë.Vota e secilit prej jush llogaritet, pasi që e drejta juaj për të zgjedhur përfaqësuesit tuaj pa frikë ose ndërhyrje është parim i shenjtë për Kosovën që të ecën përpara”, tha Apostolova.

Pesë video nga 27 që ishin në konkurrencë u shpallën më të mirat, ndërsa e para doli videoja e Albulena Ukës.

Ismet Kryeziu nga “Demokracia në Veprim” tha se kjo fushatë është zhvilluar me qëllim të nxitjes së qytetarëve të vendit që të marrin pjesë në procesin e votimit dhe që vota e tyre të ndikojë për të ardhmen e vendit.

Ndarja e çmimeve për pesë videot më të mira u bë nga shefja e BE-së në Kosovë, Apostolova, ambasadori amerikan në Kosovë, z.Delawie, tre aktivistë  të fushatës #AsUne, alpinistja Arineta Mula dhe gazetarët e publicistët: Astrit Gashi e Imer Mushkolaj.

Kjo fushatë është mbështetur nga USAID ,Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada e Gjermanisë, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës.