Presidenti i PPE, Joseph Daul, në fushatën e LDK-së - Foto: Facebook

Daul: Vetëm LDK e Çon Kosovën në BE

Presidenti i Partive Popullore Europiane (PPE), Joseph Daul, nga Gjilani, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që mos t’i votojnë ata që sipas tij i çojnë në qorrsokak.

Daul u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të votojnë LDK-në dhe kandidatin e saj, Avdullah Hoti, “i cili e çon Kosovën në Europë”.

“Brenda dy javësh do të merren vendime të mëdha për Kosovën. Unë i porosit votuesit që të mos zgjedhin që ta çojnë Kosovën në një qorrsokak, por të votojnë LDK-në për një të ardhme europiane”, ka thënë Daul, sipas një komunikate të LDK-së.

Presidenti i PPE, grupit më të madh parlamentar në Parlamentin Europian, ka thënë se më 11 qershor Kosova do të marrë një vendim shumë të rëndësishëm, do të shkojë drejt një qorrsokaku dhe konflikteve të brendshme, ose do të vendosë t’i zgjedhë deputetët e LDK-së, që do ta çojnë Kosovën në një të ardhme europiane.

Ai ka vlerësuar lartë kandidaturën e Avdullah Hotit për kryeministër duke thënë se ai është një frymë e re për të cilën Kosova ka nevojë.

Ai e ka falënderuar kryeministrin Isa Mustafa, për ruajtjen e vlerave të LDK-së të cilat i ka ruajtur edhe në raste kur ka qenë i rrezikuar, nga gazi lotsjellës dhe molotovi.

Ndërsa, Mustafa e ka vlerësuar lartë mbështetjen që po i jep LDK-së PPE-ja me pjesëmarrjen e presidentit të saj në Kosovë, Joseph Daul.