Bajrami: PDK-AAK-Nisma Nuk Ka Program të Harmonizuar

Përfaqësuesja e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Hykmete Bajrami, kërkoi nga koalicioni tjetër PDK-AAK-Nisma që të tregojë nëse kanë një program të vetëm në lidhje me investimet në bujqësi.

“Ata thanë që Nisma i ka 400 milionë euro investime, pyetja ime është: Sa ika PDK e sa AAK, se po shihen se nuk kanë program të përbashkët, secili e kanë një program të vetin”, tha Bajrami.

Përfaqësuesi i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ymer Rusinovci, tha se AAK ka program të hartuar ndërsa kërkoi që në debat të vijnë profesionistë të flasin për bujqësi.

“Aleanca ka program të hartuar, me objektiva dhe prioritete dhe kërkoj që herën tjetër kur të thirrni në debat thirrni njerëz profesionistë se vaj halli për bujqësi që nuk din gjithkush për to. Fal Zotit që nuk ka tension të energjisë elektrike se i kish mbytë ata që nuk din për to”, tha Rusinovci.

Polemikat vazhduan kur përfaqësuesja e LDK-AKR-Alternativa kërkoi nga koalicioni kundërshtar të tregojë se a janë duke kandiduar si koalicion me tri programe të ndryshme për bujqësi.

“A keni program të organizum apo si koalicion jeni t’u konkurru me tri programe”, tha Bajrami.

Rusinovci shtoi se AAK ka paraparë 10% të buxhetit të përgjithshëm t’i ndajë për bujqësi.

“E para, AAK ka të paraparë 10% të buxhetit të përgjithshëm ta ndajë për bujqësi, për dallim që Nisma e ka publiku 400 milionë. Këtu do të kemi një harmonizim”, tha Rusinovci.

Hykmete Bajrami nga ana tjetër shtoi se duhet pyetur edhe Partia Demokratike e Kosovës se çfarë programi ka për bujqësi.

“Na po e shohim që Nisma i ka 400 milionë, AAK 10% që i bjen 200 milionë. Duhet me pyet edhe PDK me këqyr se a kanë program,  por po shihet nuk po kanë program të harmonizum. Në këto zgjedhje është një program artificial”, tha Bajrami.

PDK nuk ka sjellë përfaqësues të vet as në Debatin e sontëm Pernime që po transmetohet në TV 21.

Debati zgjedhor temë e të cilit është Industria e Bujqësia ka mbledhur përfaqësues të të gjitha subjekteve politike, përveç PDK-së.

Ky është debati i tetë me radhë në kuadër të fushatës zgjedhore që po bojkotohet nga PDK. Kjo parti po kërkon hapësirë më të madhe për vete dhe partitë që i mbledh në koalicion (AAK e NISMA), se sa subjektet tjera në garën zgjedhore, koalicionin LDK-AKR dhe partinë politike Vetëvendosje.

Komisioni i Pavarur për Media, javën e kaluar, kishte vlerësuar se kërkesa e PDK-së për hapësirë më të madhe në debat se subjektet tjera, është e kundërligjshme.

Debatin mund ta ndiqni drejtpërdrejt në linkun e mëposhtëm: