Debat Pernime, Mitrovicë. Foto: Kallxo.com

Bahtiri, Ferati e Idrizi Polemizojnë për ‘Shtëpinë e Armatës’ në Mitrovicë

E ardhmja e një objekti të quajtur “Shtëpia e Armatës” në Mitrovicë ka nxitur polemika në Debat Pernime ndërmjet kandidatëve të PDK-së, AKR-së dhe Vetëvendosjes për kryetar të Mitrovicës, Valdete Idrizi, Agim Bahtiri e Fehmi Ferati.

Idrizi e PDK-së ka kritikuar planet e komunës për rrënimin e këtij objekti, të përdorur dikur nga ish Armata Popullore e Jugosllavisë, për nevoja të ndërtimit të një parkingu publik.

“Ajo që nuk do të thoja asnjëherë është rrënimi i objekteve të trashëgimisë kulturore dhe ndërtimi i parkingjeve. E kam fjalën për Shtëpinë e Armatës”, tha Idrizi.

Por Fehmi Ferati i VV-së kundërshtoi Idrizin duke e kontestuar vendosjen e objektit në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore.

“Ajo shtëpi nuk ka kurrfarë trashëgimi kulturore, ka qenë shtëpi e armatës së ish-Jugosllavisë”, tha Ferati.

Ndërsa Idrizi ka insistuar në ruajtjen e objektit.

“Është memorie kolektive e për atë është e rëndësishme që të ruhet e jo të degradohet e shkatërrohet”, tha Valdete Idrizi.

Kryetari aktual i Mitrovicës, Agim Bahtiri i AKR-së, mbështeti Feratin kundër kandidates së PDK-së.

“Nuk dëshirojmë t’i mbrojmë pronat ku janë bërë strategji kundër shqiptarëve”, tha Bahtiri.

“Me këtë qasje duhet ta shkatërrojmë edhe komunën sepse edhe aty janë rrahë shqiptarët”, ironizoi kandidatja e PDK-së, Valdete Idrizi.