Nga zgjedhjte e mëhershme | Foto: KALLXO.com

44 Mijë Euro për Sprejin Zgjedhor

Me qëllim të parandalimit të votimit më shumë se një herë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), planifikoi të blejë rreth 44 mijë e 400 euro UV sprej sekret.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar njoftimin dhënie të  kontratës  në vlerë prej 44 mijë e 400 euro për UV sprejin që do të zbulojë ata që tentojnë të votojnë më shumë se një herë.

Operatori “Albus” është rekomanduar për këtë kontratë.

Për këtë tender KQZ-ja ka përdorur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, pa konkurrencë.

Aplikimi i kësaj procedure është i nevojshëm për shkak të kohës së shkurtër që ka në dispozicion KQZ-ja për përgatitje të zgjedhjeve të parakohshme.

UV spreji përdoret për spërkatjen e gishtit me rastin e votimit, në mënyrë që të parandalohet votimi i dyfishtë nga ana e votuesit.

Në krahasim me zgjedhjet e parakohshme të vitit 2014, KQZ-ja planifikon  të shpenzojë për sprej 1 mijë e 100 euro më shumë për zgjedhjet e parakohshme të 2017-ës.

Po nëse krahasohet me zgjedhjet e vitit 2013 sivjet për UV sprej KQZ-ja do të shpenzojë 17 mijë e 300 euro më shumë. Pra, për të njëjtin tender, KQZ-ja kishte shpenzuar 17 mijë e 300 euro më pak në zgjedhjet e rregullta lokale të vitit 2013, kur procedura e tenderimit ka qenë e hapur.

Në listat përfundimtare të votueseve për këto zgjedhje, janë gjithsej 1 milion e 782 mijë e 454 votuese (sipas raportit të KQZ-së 200-2014), përderisa në zgjedhjet lokale të vitit 2013 ishin 1 milionë e 779 mijë e 359 votues. Pra, ka një dallim shumë të vogël të numrit të votuesve.

Sipas përllogaritjes në bazë të vlerës së kontratës dhe numrit të votuesve shpenzohen 2 centë UV sprej për një votues në zgjedhje.

Si në zgjedhjet lokale të vitit 2013, zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2014 dhe zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen me 11 qershor të këtij viti,  KQZ-ja furnizimin me UV sprej ia ka besuar kompanisë “Albus”.

KQZ-ja kishte telashe me këtë shprej gjatë zgjedhjeve për kryetar të Drenasit vitin e kaluar. Ky sprej nuk mundi të parandalojë votimin dy herë të një votuesi në fshatin Tërstenik të Komunës së Drenasit.

Lëngu që u detektua nga llamba ultravjollcë në duart e votuesit ishte thënë se ishte lëng mandarine, e jo UV sprej.

Për këtë gjë as zyrtarët e KQZ-së dhe as kimistët nuk kishin dhënë shpjegim lidhur me ndikimin e lëngut të mandarinës në reagimin e UV llambës. Përmbajtja e UV sprejit konsiderohet sekret shtetëror.

http://kallxo.com/lidhja-mandarine-sprej-huton-te-gjithe/

Me procedurë të njëjtë të prokurimit, KQZ-ja ka dhënë kontratë edhe për shtypjen e listave përfundimtare të votuesve dhe blerjen e tonerëve

http://kallxo.com/tenderet-e-pare-per-zgjedhje/

KQZ-ja ka blerë edhe zarfa dhe aplikacione për votimet e personave që jetojnë jashtë vendit në vlerën e 2300 eurove.

http://kallxo.com/2-mije-e-300-euro-per-zarfe-dhe-aplikacione-per-diasporen/