29 Mijë Vëzhgues për Zgjedhjet në Kosovë

29 mijë e 264 vëzhgues do t’i monitorojnë zgjedhjet e 11 qershorit, ndërsa në to të drejtë vote kanë  1 milion e 872 mijë e 941 votues.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për KALLXO.com se lista e votuesve është certifikuar.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve për 11 qershor. Lista përfundimtare përmban 1 milion e 872 mijë e 941 votues ”, tha ai.

Sipas një dokumenti të KQZ-së 118 mijë e 448 votues të rinj pas zgjedhjeve të 2014 kanë arritur moshën  18 vjeç dhe do të mund të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e së dielës.

Sipas dokumentit numri i personave që janë larguar nga listat për shkak të vdekjes pas zgjedhjeve të vitit 2014 është 33 mijë e 542.

Elezi tha edhe se numri i qendrave të votimit në këto zgjedhje është 889.

“Janë 91 qendra të votimit më shumë se në vitin 2014. Janë 889 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 490 vendvotime, 116 vendvotime më shumë se në vitin 2014”, shtoi Elezi për KALLXO.com.

Sa i përket vëzhgimit të qendrave të votimit sipas Elezit, janë gjithsej 29 mijë e 264 vëzhgues të cilët janë angazhuar për të vëzhguar zgjedhjet e 11 qershorit.

Më 10 maj të këtij viti, një mocion për rrëzimin e qeverisë aktuale nga ana e opozitës, bëri që Kosova të shkojë në zgjedhje më 11 qershor.

http://kallxo.com/presidenti-zgjedhjet-11-qershor/

Zgjedhjet do t’i monitorojnë edhe 100 vëzhgues të BE-së.

http://kallxo.com/100-vezhgues-monitoron-cerekun-e-vendvotimeve/