Gëzim Kelmendi (Fjala) në Debat Pernime. Foto: Atdhe Mulla

​Kelmendi: Pompat e Benzinës Janë Njoftuar për Inspektimet në Teren

Përfaqësuesi i subjektit politik Fjala, Gëzim Kelmendi tha sot se në kohën kur inspektorati ka dalë në kontroll të derivateve të naftës e benzinës, bizneset kanë qenë të lajmëruara paraprakisht për një gjë të tillë.

“Kam mbetur në opozitë që vetëm e vetëm të dal faqebardhë para juve sot. Paramendo ti çka ka ndodhë me kontrollin e derivateve të naftës. Nuk ndodh askund në botë, kur del inspektorati në terren, ministria e bën në ueb faqen publike që po del inspektorati. Pra përgatiten pompat që me na servu benzinën”, tha Kelmendi.

Ai shtoi se është përgjegjësi morale e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë se pse janë lajmëruar pompat e benzinës për kontroll të inspektorateve.

“Ministre unë qëllimisht nuk të përmenda por po e shoh se e paske mizën ndër kapuq, ju duheni me jep përgjegjësi morale qysh i keni lajmëru pompat që po del inspektoriati”, tha Kelmendi.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk ka sjellë përfaqësues të vet as në debatin e sontëm Pernime që po transmetohet në TV 21.

Debati zgjedhor temë e të cilit është Industria e Bujqësia ka mbledhur përfaqësues të të gjitha subjekteve politike, përveç PDK-së.

Ky është debati i tetë me radhë në kuadër të fushatës zgjedhore që po bojkotohet nga PDK. Kjo parti po kërkon hapësirë më të madhe për vete dhe partitë që i mbledh në koalicion (AAK e NISMA), se sa subjektet tjera në garën zgjedhore, koalicionin LDK-AKR dhe partinë politike Vetëvendosje.

Komisioni i Pavarur për Media, javën e kaluar, kishte vlerësuar se kërkesa e PDK-së për hapësirë më të madhe në debat se subjektet tjera, është e kundërligjshme.

Debatin mund ta ndiqni drejtpërdrejt në linkun e mëposhtëm: