Kryeministri maqedonas Zoran Zaev. Foto: MIA

Zgjedhjet Lokale Mund ta Rrezikojnë Koalicionin Qeveritar në Maqedoni

Kryeministri Zaev dhe kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, i kanë mohuar spekulimet këtë javë duke thënë se nuk kanë folur për një shpërbërje të mundshme të aleancës qeverisëse, megjithatë disa vëzhgues besojnë se pas raundit të dytë të zgjedhjeve vendore më 29 tetor do të ketë ndryshime në qeveri.

Tre deputetët e Aleancës për Shqiptarët aktualisht i japin qeverisë së Zaev një shumicë të ngushtë prej 62 deputetësh në parlamentin me 120 vende.

Por marrëdhënia është ndërlikuar nga fakti se Aleanca është një rival i hidhur i partnerit tjetër etnik shqiptar të Zaevit, Bashkimi Demokratik për Integrimin, BDI, i cili ka 10 deputetë në parlament.

“Pres një riorganizim të qeverisë pas zgjedhjeve lokale, ku Sela nuk do të jetë më pjesë e qeverisë,” tha analisti politik Xhelal Neziri.

Ai shtoi se kjo ka gjasa të ndodhë pavarësisht mohimeve aktuale nga dy liderët politikë.

Trazirat midis Social Demokratëve të Zaev, dhe Aleancës për Shqiptarët, që ndihmuan për formimin e qeverisë së re në maj, filluan menjëherë pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale në 15 tetor.

Aleanca për Shqiptarët më pas krijoi një koalicion në mes të zgjedhjeve me lëvizjen opozitare BESA për të rritur shanset për fitore në raundin e dytë në 12 komuna ku ata ose BESA, janë kundër BDI-së, e cila mbështetet nga LDSM e Zaev.

Si rezultat, Aleanca dhe LSDM kanë shkëmbyer polemika, duke akuzuar njëri-tjetrin për aleanca të pacaktuara në zgjedhjet lokale.

“Është e vërtetë se ajo që po bënte Zijadin Sela në terren [në zgjedhjet vendore] nuk ishte në përputhje me politikat tona. Kjo na nxiti më shumë t’i jepnim mbështetjen BDI-së,” tha për BIRN një burim anonim pranë udhëheqjes së LDSM.

Këtë javë, Sela dhe Zaev u përpoqën ta qetësojnë trazirën.

Pasi Sela mohoi se po mendonte për largim nga qeveria, Zaev i tha medias se ishte i kënaqur për këtë dhe se nuk planifikonte ta largojë Aleancën, vetëm nëse Sela bën hapin e parë.

Por në një intervistë të mërkurën, Sela vazhdon të akuzojë Zaevin se ka dhënë mbështetje të pajustifikuar për BDI-në, një parti që kaloi tetë vjet në qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE përpara se t’i bashkohej Zaevit në maj.

Sela tha se BDI nuk duhet falur për rekordet e të shkuarës.

I pyetur nga Telma TV nëse mendonte se Zaev i ka kthyer shpinën, Sela kujtoi se Zaev do të mund ta formonte qeverinë e re, po të mos ishte për mbështetjen e tij.

“Ku do të ishte Zaev sot, pa mbështetjen e Aleancës? Në burg, i burgosur nga regjimi [i udhëhequr nga VMRO DPMNE],” tha Sela.

Pavarësisht nga grindjet, analisti politik Ramadan Ramadani mendon se dy partitë do të lënë pas dallimet e tyre pas zgjedhjeve vendore, prej interesit të përbashkët.

“Nuk mendoj se gjërat do të shkojnë deri aty sa Aleanca të largohet nga qeveria. Përkundrazi, kjo parti do të qëndrojë në qeveri. Për momentin, Social Demokratët nuk kanë interes të largojnë askënd sepse nuk kanë deputetë,” tha Ramadani.

Sipas spekulimeve, nëse Aleanca del, socialdemokratët e Zaevit, të cilët mbështeten në tre deputetët e tyre për shumicën në parlament, mund të përpiqen ta zëvendësojnë atë me mbështetjen e një partie të vogël opozitare, Partia Demokratike e Shqiptarëve, PDSH, e cila ka dy deputetë.

PDSH nuk mundi të komentojë të mërkurën.

Social-demokratët gjithashtu po përpiqen të përfitojnë nga rezultatet e tyre të mira në raundin e parë të zgjedhjeve lokale për të inkurajuar deputetët e tjerë të koalicionit opozitar të udhëhequr nga VMRO DPMNE për të ndërruar anët.

Analisti politik Andrej Stojkovski nga Qendra Maqedonase për Edukimin Europian u shpreh për gazetën Plus Info të martën se ka gjasa që të ketë më shumë kalime në anën e Zaev.

“Zhvendosjet do të fillojnë menjëherë pas 29 tetorit [ditën e dytë të zgjedhjeve]. Pres që kjo të ndodhë,” tha Stojkovski.

Ai shtoi se deputetët më të mundshëm për të ndryshuar palë janë ata të disa partive më të vogla, të cilët nuk kanë pasur përballje me qeverinë e re dhe as konflikte të së kaluarës me Social Demokratët.

Qeveria e udhëhequr nga socialdemokratët u formua në maj, pas një krize të zgjatur politike që largoi VMRO DPMNE nga pushteti.

VMRO DPMNE ishte në pushtet për 11 vjet dhe u akuzua gjerësisht për tendenca autoritare dhe korrupsion.