Shpenzimet për pajisjet e zgjedhjeve | Foto: KALLXO.com

Zgjedhjet e Sivjetme Rrisin Shpenzimet

113 mijë e 300 euro priten të shpenzohen për këto zgjedhje për blerje të kabinave të votimit, UV sprej, UV llampa, vula dhe materiale përcjellëse.

Shpenzimet për këto produkte kanë tendencë të rritjes në krahasim me zgjedhjet paraprake. Mesatarja e shpenzimeve për këto produkte (2013-2017) është 97 mijë e 700 euro.

KQZ-ja  ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës për t’u furnizuar me kabina votimi në lidhje me zgdhedhjet e parakohshme të 11 qershorit. Këto kabina, do t’i kushtojnë buxhetit të vendit jo më pak se 30 mijë e 960 euro.

Kabinat e votimit u mundësojnë atyre që dalin në zgjedhje që votën ta hedhin të pandikuar nga ambienti përreth.

Kabinat e votimit KQZ-ja vazhdimisht po i blen nga kompania “Diari”. Kjo kompani ishte kujdesur për furnizim me kabina votimi edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 2014-ës,  me vlerë të kontratës prej 26 mijë e 120 eurove dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2013 në vlerë të kontratës prej 21 mijë e 840 eurove.

Me përjashtim të vitit 2013, ku KQZ-ja kishte përdorur procedurën e hapur për blerje të kabinës për votim, për tenderët e lartpërmendur në rastet tjera KQZ-ja kishte mbyllur derën e konkurrencës.

Shpenzimet për kabina votimi, kanë trend rritës.

Për zgjedhjet e organizuara në Kosovë nga viti 2013 deri në zgjedhjet e sivjetme 2017, për kabina votimi janë shpenzuar 78 mijë e 900 euro. Vlerë më e lartë të shpenzimeve për këtë qëllim regjistrohet këtë vit përderisa më të ulëta janë vlerat e vitit 2013.

Mesatarja e shpenzimeve për kabina të votimit 2013-2017 është 26 mijë e 300 euro.

UV spreji

Sprej sekret ultra-vjollcë (UV) për spërkatjen e gishtit të votuesit, buxhetit të vendit i kushton 44 mijë e 400 euro.

UV spreji përdoret për spërkatjen e gishtit të votuesit me qëllim të parandalimit të votimit të dyhershëm të votuesit.

Operatori ekonomik “Albus” është rekomanduar për kontratë dhe me procedurë të negociuar apo pa konkurrencë. Kompania e njëjtë e ka furnizuar KQZ-në me UV sprej edhe më herët, por kontratat kishin vlerë më të vogël. Në zgjedhjet parakohshme të vitit 2014, për këtë qëllim janë shpenzuar 43 mijë e 200 euro dhe në vitin 2013 kontrata kishte vlerën  27 mijë e 300 euro.

Shpenzimet për UV sprej shënojnë trend rritës nga zgjedhjet e 2013-ës deri në këto zgjedhje.

Vlera më e ulët e regjistruar është në vitin 2013, përderisa vlera më e lartë e kontratës shënohet për zgjedhjet e 11 qershorit 2017.

Për spërkatje të gishtit të votuesit, mesatarisht u shpenzuan 38 mijë e 300 euro.

UV llampa 

Qytetarit votues me të hyrë në vendvotim, me qëllim të parandalimit të votimit më shumë se një herë, gishtërinjtë i verifikohen me UV llampë nga zyrtari i KQZ-së.

KQZ-ja për t’u furnizuar me pajisje të tilla pritet të shpenzojë 24 mijë euro apo 2 mijë e 700 euro më shumë sesa janë shpenzuar në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2014 dhe vlerë edhe më e ulët është shënuar në zgjedhjet lokale të 2013-ës.

Edhe tek UV llampa, shpenzimet shënojnë një trend rritës në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Zgjedhjet e sivjetme shënojnë vlerën më të lartë të shpenzimit për këtë qëllim përderisa ato të 2013-ës janë shumë më të ulëta.

Mesatarja e shpenzimeve për furnizim me pajisje për verifikim të votuesve me rastin e votimit, është 20 mijë e 900 euro.

Vula dhe materialet përcjellëse

Që një fletëvotim të konsiderohet i vlefshëm, medoemos duhet të jetë i vulosur. KQZ-ja është  kujdesur që zyrtarët e saj të jenë të pajisur me vula, jastëk dhe ngjyrë për vulosjen e fletëvotimit.

Për furnizim me vula dhe material përcjellëse, KQZ-ja i ka rekomanduar kontratë kompanisë  “Kosova Art” në vlerën prej 14 mijë eurove. Kompania e njëjtë një furnizim të tillë e kishte realizuar edhe në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2014 dhe në zgjedhjet lokale të 2013-ës.

Shpenzime për vula dhe materiale përcjellëse, rezultojnë të jenë më të lira në krahasim me zgjedhjet e parakohshme të vitit 2014 por më të shtrenjta në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013.

Mesatarja e shpenzimeve për to, rezulton të jetë 12 mijë e 100 euro.

Nga zgjedhjet e vitit 2013 deri në këto zgjedhje për furnizim me produktet e lartpërmendura për nevoja të mbarëvajtjes së zgjedhjeve, janë shpenzuar 293 mijë e 100 euro.

Furnizimi me produkte të tilla për këto zgjedhje shënoi rritje të shpenzimeve.

Bazuar në të dhënat e raportit të KQZ-së për zgjedhjet në Kosovë 2000-2014 publikuar këtë vit, vërehet se nga viti 2013 deri në vitin 2014 nuk kemi rritje të theksuar të numrit të vendvotimeve, duke shënuar kështu 798 qendra të votimit me 2 mijë e 374 vendvotime, me vetëm 8 vendvotime më tepër se në zgjedhjet lokale të vitit 2013.