Zgjedhja e Drejtorit të Shkollës Ngjall Akuzat Opozitë- Komunë

Zgjedhja e drejtorit të shkollës fillore “Dy Dëshmorët” në fshatin Dobrajë e Madhe në Lipjan në konkursin e shpallur tri herë ka ndezur polemika mes pozitës dhe opozitës në asamblenë e kësaj komune.

Polemikat filluan në debatin “Jeta në Komunë”, ku ish-drejtori i arsimit në Lipjan, Nazmi Krasniqi e ngriti si çështje punësimin e Adem Hajnunit në pozitën e drejtorit të  shkollës dhe akuzoi qeverisjen komunale për nepotizëm dhe punësim në baza partiake duke referuar në  faktin që Hajnuni është vjehrri i kryesueses së Kuvendit Komunal.

Kryesuesja e Kuvendit, Vlora Limani Hajnuni, ishte përgjigjur në këtë debat se Adem Hajnuni kishte ushtruar detyrën e drejtorit edhe para se të ishte vjehrri i saj.

“Vjehrri im është zgjedhur drejtor i shkollës, ai është profesor i historisë për më shumë se 40 vite dhe ka qenë drejtor deri në vitin 2008, kur unë nuk e kam pasur vjehërr dhe kur Nazmiu ka qenë drejtor i departamentit”, u përgjigj Limani-Hajnuni.

Konkursi i shpallur tri herë, për herën e parë u anulua nga Komuna për shkak të mungesës  së kualifikimit të kandidatëve.

Më pas u anulua pas kërkesës së Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe pas rishpalljes së konkursit në këtë pozitë u zgjodh Adem Hajnuni.

Florent Hoxha, asamblisti nga partia opozitare në Lipjan, PDK, gjithashtu akuzoi qeverisjen komunale për punësimin e drejtorit të shkollës me nepotizëm si dhe vlerësoi se konkursi ka pasur shkelje ligjore, për atë arsye sipas tij edhe është anuluar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës.

“Përzgjedhja e drejtorit të shkollës është bërë mbi baza edhe politike por edhe familjare. Përveç asaj ne kemi thënë se është edhe shkelje ligjore, që e dëshmoi edhe vendimi i KPMShCK që e ka autorizuar kryetarin që të ndërpresë apo anulojë vendimin e mëparshëm të zgjedhjes së drejtorit dhe të përsëris konkursin dhe të vazhdojë me procedurat tjera të zgjedhjes së drejtorit të shkollës”, vlerëson Hoxha.

KPMShCK kishte anuluar konkursin e dytë të shpallur për pozitën e drejtorit të shkollës “Dy Dëshmorët” për shkak se ishte publikuar pa miratimin nga Ministria e Administratës Publike.

Rasim Hasani, drejtor i arsimit thekson se anulimi ka qenë anulim i procedurës dhe se konkursi nuk ka qenë jashtëligjor siç pretendon opozita.

Ai gjithashtu ka kthyer akuzat e opozitës për punësim në baza partiake duke thënë se vet PDK, kur ishte në pozitë kishte punësuar ish-drejtoreshën e shkollës në fjalë edhe pse sipas tij ajo nuk kishte qenë e kualifikuar.

“Fakt është se drejtori i cili është zgjedhur tash, ka rreth 30 vjet përvojë në arsim, ka qenë drejtor edhe para se reja e tij të bëhet kryesuese dhe nuk është një vend i ri i punës por është një pozitë që e ka merituar, mendojmë. Pikërisht kjo opozitë e cila po na akuzon tash e ka bërë përzgjedhjen e drejtoreshës në kohën e mandatit të vet, e cila ka qenë e pakualifikuar kur është zgjedhur”, tha Hasani.

Vetë drejtori i shumëpërfolur i shkollës në Dobrajë të Madhe, Adem Hajnuni i adresoi akuzat ndaj punësimit të tij duke theksuar se nuk mund ti cenohet e drejta e punësimit për shkak të pozitës së rejës së tij.

“Opozita si opozitë normalisht që e ka të drejtën e vet të kritikave por ndonjëherë po më duken të tepërta. Reja e ka punën e vet, unë nuk mund të mbes peng i pozitës së saj. Edhe unë kam pasur të drejtë si të gjithë kandidatët e tjerë të aplikoj dhe normalisht që kam një përvojë të gjatë në arsim, gati 35 vjet”, thekson Hajnuni.