Zëvendës Ministri i MPB-së Kërkon Hetim të Prokurorisë për Targat

Zëvendës Ministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, kërkoi sot nga prokuroria që të nisë hetimet rreth mungesës së targave të automjeteve.

Qytetarët e Kosovës janë duke u pajisur me tabela provuese tash e disa muaj për shkak të dështimit të tenderit për prodhimin e tabelave të rregullta për shkak të procedurave të kontestuara tenderuese nga ana e Organit Shqyrtues të prokurimit (OShP) por për Mustafën, i takon prokurorisë që ta gjejë fajtorin për këtë çështje.

“Prokuroria duhet të fillojë hetimet, sepse nuk ka asnjë mundësi që të kenë të drejtë të dy palët. Nëse zyrtarët e MPB-së kanë vendosur gabimisht, atëherë le të jenë ata që të japin përgjegjësi. Nëse ndodh e kundërta, pra që zyrtarët e MPB-së kanë vendosur drejtë dhe se vendimet e tyre padrejtësisht janë anuluar nga OSHP, atëherë këta të dytët duhet të japin përgjegjësi”, tha zëvendës ministri i MPB-së në një postim në facebook.

Ai e ka vlerësuar si “të paarsyeshme” heshtjen e deritanishme të prokurorisë pasi që ka thënë se për më shumë se një vit, qytetarëve të Kosovës është duke iu mohuar një e drejtë elementare.

Mustafa nuk e ka përjashtuar mundësinë që fajtori të jetë edhe brenda MPB-së.

“Unë nuk paragjykoj se cila është e vërteta dhe kush ka të drejtë. Qytetarët e meritojnë ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë se me fajin e kujt kanë mbetur gati një vit pa targa dhe të izoluar nga udhëtimet me makina jashtë vendit. E këtë përgjigje ata mund ta marrin vetëm mbasi prokuroria të zhvillojë një hetim në afat sa më të shpejtë”, tha ai.