Furgoni për të cilin nisi zënka | Foto: KALLXO.com

Zënka e Kushërinjve që Shkrepi Plumbat te Fqinjët

Mbrëmë, Sali e Durim Lushaj, të arrestuarit për vrasjen e vëllezërve Ramaj sipas disa banorëve të fshatit ishin nisur për t’u përleshur me kushëririn e tyre Dervish Lushaj, pas një zënke të para disa ditëve që kishin pasur në lidhje me thyerjen e xhamit të një furgoni.

Dervish Lushaj, pronari i këtij furgoni e kishte akuzuar Salihun për thyerje të këtij xhami.

Por rrugës derisa ishin nisur për t’u ndeshur me kushëririn e tyre, babë e bir Sali e Durim Lushaj, duket se zbrazën mllefin e mbledhur mbi vëllezërit Ramaj që nuk kishin fare të bënin me zënkën.

Sejdi Dobraj, komandanti i Policisë në Deçan | Foto: KALLXO.com
Sejdi Dobraj, komandanti i Policisë në Deçan | Foto: KALLXO.com

Rastin e koklavitur që la të vdekur Rexhep e Bujar Ramajn u mundua ta shpjegojë për gazetarë komandanti i policisë në Deçan Sejdi Dobraj.

“Deri të incidenti ka ardhur si pas një zënke para disa ditësh mes dy kusherive  të afërt Sali Lushaj dhe Dervish Lushaj për shkak të thyerjes së një xhami të autobusit. Mirëpo si duket në zinxhir ka vazhduar deri në natën kritike. Mbrëmë kemi të bëjmë me një zënkë mes Dervishit dhe Salihut , ku janë involvuar të ndjerët Rexhepi dhe Burimi, kurse përfundimi ka qenë me fatalitet,” tha Dobraj.

Në familjen e të vrarëve pikëllimi ka mbuluar gjithçka, ndërsa janë hapur dyert për kryeshëndosh.

Njëri nga të afërmit e vëllezërve Ramaj që nuk deshi të identifikohej kur foli për KALLXO.com shpjegoi se si rrodhi ngjarja tragjike.

“Ata ( Sali dhe Durim Lushaj) kanë ardhur t’i qërojnë hesapet me kushëririn e tyre Dervish Lushajn, për do xhama të autobusëve që janë thy . Bujari [Ramaj]ka qenë tu nejt para derës së shtëpisë së vet.  Ata pastaj i kanë thanë këtij çka po këqyr, a mos po don najsen?” shpjegon situatën i afërmi i Ramajve të vrarë.

Ai më tutje tregon se si u përshkallëzua gjendja.

“ Masanej e kanë sulmuar fizikisht, dikur u dalë edhe vëllau i madh ( Rexhepi). Njoni prej atyne e ka nxirr alltinë e i ka vra dytë,” rrëfen versionin e familjes Ramaj i afërmi i tyre.

Ardhja e kufomave të të vrarëve në shtëpi | Foto: KALLXO.com
Ardhja e kufomave të të vrarëve në shtëpi | Foto: KALLXO.com

Vrasja e dy vëllezërve Ramaj ndodhi në orën 21:00 të së enjtes, ndërsa për të shkroi KALLXO.com.

Adem Lushaj, njëri nga të afërmit e të arrestuarve për vrasje, ende nuk e ka të qartë se pse ndodhi ajo.

“ Rasti i cili ka ndodhë në orët e mbrëmjes na ka tronditur sepse edhe tash nuk e dimë arsyen si ka ardhur deri të kjo,” tha ai.

Ai deklaroi se Lushajt kanë shkuar mirë me Ramajt dhe nuk kanë pasur ndonjë problem më herët.

“Aq ma keq kur jemi familje e afërm, jemi vëllazëri dhe kurrë s’kemi pasur raporte të këqija. Gjithmonë kemi pasur raporte vëllazërore, sepse jemi të lidhur me tokë e me dekë e me dasëm e të gjitha,” tha ai.

Policia bëri të ditur sot se ka arrestuar të Durim Lushajn, të dyshuarin e dytë për këtë vrasje. Babai i tij Sali Lushaj ishte arrestuar mbrëmë, ditën kur u vranë vëllezërit Ramaj.

Një tragjedi  edhe më e rëndë ndodhi në Gjakovë të martën, kur u vranë tre persona, sipas ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit për motiv të hakmerrjes.

http://kallxo.com/motivi-i-vrasjes-ne-gjakove-hakmarrja/