Zona e përkujtimit te Shkëmbi i Koriçanit - Foto: Anadolou

Zbulohet Varr Masiv Pranë Shkëmbit të Koriçanit

Mujo Begiç, shefi i zyrës rajonale të Institutit për Personat e Zhdukur në Bosnje-Hercegovinë tha se në qytetin boshnjak të Bihaqit, në veriperëndim, është zbuluar një varr masiv i cili përmban një numër ende të panjohur trupash, që mund të lidhen me vrasjet e vitit 1992 në këtë zonë.

“Besojmë se eshtrat lidhen me personat që u qëlluan te shkëmbi i Koriçanit në gusht të vitit 1992. Presim që Gjykata dhe Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës të nxjerrin një vendim pas të cilit të shkojmë në terren dhe të kryejmë një zhvarrim,” tha Begoviç për BIRN.

Prokuroria boshnjake tha se do ta lëshonte urdhrin pasi të ishin përmbushur kushtet, por nuk specifikoi se kur.

Në gusht 1992, anëtarët e Skuadrës së Intervenimeve pranë Policisë së Prijedorit qëlluan rreth 200 burra te shkëmbi i Koriçanit.

Ata i urdhëruan të qëndronin buzë rrugës dhe të ktheheshin nga një humnerë. Pastaj, ata i qëlluan me automatik. Personat e vrarë ishin marrë nga një autobus, i cili ishte pjesë e një karvani që po dëbonte boshnjakët dhe kroatët nga territori i Prijedorit, nën kontrollin e serbëve boshnjakë.

Deri më tani, 11 ish-policë nga Prijedori janë dënuar për vrasjet te shkëmbi i Koriçanit. Një prej tyre, Darko Mrdja, u dënua nga gjykata e OKB-së në Hagë, ndërsa të tjerët u dënuan në Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Rreth 12,000 persona janë të zhdukur në Ballkanin Perëndimor, shumica e tyre në Bosnje dhe Hercegovinë.