Mjetet shpërthyese të zbuluara | Foto: Policia e Kosovës

Zbulohet Eksploziv në Bodrumin e një Shkolle në Shtërpcë

Policia e Kosovës ka gjetur armë dhe eksploziv në një bodrum pjesë e shkollës “Jovan Cvejiq” në Shtërpcë.

Lajmin për gjetjen e eksplozivit dhe armëve e bëri të ditur policia në Ferizaj me anë të një komunikate.

Sipas komunikatës, policia zbuloi mjetet shpërthyese, pasi mori informata nga terreni për to, ndërsa aksioni u zhvillua në bashkëpunim me Doganën dhe AKI-në.

Komunikata bëri të ditur se gjeti dhe konfiskoi “43-copë kallëp të trotilit, 23-copë detonatorë mekanikë, 7-copë mina cilindrike dhe një minë në formë katrore, dinamit improvizues, një fitil ngadalë-ndezës, 3-copë siguresa të minave antitank, një paketim parfinë kristalore, një minë shkollore të mortajës së dorës EM-57 dhe pajisje ushtarake që dyshohet të jenë gypa indikatorësh për detektim të helmeve kimike”.

Policia njofton se u intervistua drejtori i shkollës “Jovan Cvejiq” në lidhje me këto armë dhe mjete shpërthyese, por ai mohoi se ka dijeni kush i ka sjellë ato në bodrumin ku gjetën.

Në aksion u përdorën kamera të njësive doganore dhe u vunë në punë edhe qentë e Njësisë K-9.

Armët e konfiskuara u tërhoqën nga Njësia e Deminimit të Policisë së Kosovës, ndërsa edhe dogana zbuloi dhe konfiskoi në atë bodrum sasi të konsiderueshme të alkoolit, cigareve dhe naftës që dyshohen të jenë të kontrabanduara.