Bimë narkotike | Foto: Policia e Kosovës

Zbulohen Bimë Kanabisi në një Pyll

Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare “Perëndimi” në Gjakovë zbuloi në një pyll 48 bimë që dyshohet të jenë të llojit “Kanabis Sativa”.

“Gjatë patrullimit të hetuesve policorë dhe gjatë vëzhgimit të terrenit zyrtarët policorë kanë hasur në një plantacion ku kanë qenë të mbjella bimë narkotike që dyshohet të jenë të llojit ‘Kanabis Sativa’” thuhet në komunikatë.

Patrullimet dhe vëzhgimi i terrenit që rezultoi me gjetjen e këtyre bimëve u krye sipas policisë gjatë zbatimit të planit “Mbikëqyrja e Shtuar”.

“Ky plantacion i mbjellë është gjetur në thellësi të pyllit, me ç’rast janë gjetur të mbjella 48 bimë të dyshimta me gjatësi prej 60-120 cm,” vijon komunikata e policisë.

Policia bën me dije se bimët e zbuluara janë asgjësuar.

djegia

Sipas të njëjtës komunikatë, policia ka zbuluar narkotikë edhe gjatë kontrollit të një makine në Gjilan.

“Në qytetin e Gjilanit hetuesit e antidrogës kanë ndaluar një veturë, me ç’rast në brendi të veturës kanë gjetur të fshehura 51.2 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë,” thuhet në komunikatë.

Për këtë heroinë të gjetur është arrestuar personi me inicialet K. I., i lindur në vitin 1971. Ai po hetohet për blerje, posedim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, ndërsa i është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” gjatë shtatorit shfaqi një aksion të policisë për zbulimin dhe shkatërrimin e një laboratori kultivues të kanabisit e marijuanës në Pejë.

http://kallxo.com/aksioni-policise-zbulimi-laboratorit-te-marijuanes/

Një hulumtim i “Drejtësisë në Kosovë” në vitin 2014 tregoi zbulimin e një laboratori të përpunimit të kokainës po në Pejë.

Edhe KALLXO.com vazhdimisht ka shkruar për aksionet policore antikanabis.