Pamje e nxjerrë nga videoja promovuese e filmit

‘Zana’- Magjia e Zezë e Realitetit Kosovar

Filmi është një dramë psikologjike që paraqet vuajtjet e grave në Kosovë pas luftës, nga ajo që ndodhi pas saj.

Filmi tregon jetën e Lumes- një gruaje shqiptare që kishte humbur fëmijën e saj gjatë luftës, ndërsa kërkon dëshpërueshëm të mbetet shtatzënë përsëri, duke hequr dorë nga medikamentet moderne dhe duke iu kthyer shëruesve tradicionalë që përdorim magji të zezë.

Në film Lumja jeton në një fshat kosovar bashkë me burrin e saj Ilirin dhe vjehrën Remzien dhe përndiqet vazhdimisht nga ankthet e së shkuarës.

Regjisorja Kastrati filmin e konsideron të bazuar në shumë përvoja të saj.

“Zana është një tregim fiktiv e frymëzuar nga tragjedia ime personale gjatë luftës në Kosovës, beteja ime me traumën e pasluftës dhe ankthet e këqija. Pyetja që ka qëndruar në mua është se si mund të bëhesh përsëri nënë, kur nuk je në gjendje të mbrosh fëmijën!?”, thotë Kastrati.

Në video- promon e filmit, protagonistja mban mbi krahë një fëmijë teksa vrapon nëpër fushë. Ndërsa në një skenë tjetër, një grua lëviz një tabaka që tymosë mbi kokën e një gruaje me duvak të kuq, si pjesë e një rituali të magjisë.

“Kosova pas luftës, në zhvillim e sipër, ende e ka një këmbë të rrënjosur në mistikë. Te Zana, bota e fshehur e ëndrrave dhe terrorit është e vendosur përballë një mentaliteti tradicional të fshatit, të cilit i mungon gjuha për të trajtuar plagët e thella të luftës”, ka shkruar regjisorja.

Në filmin “Zana” do të luajnë Adriana Matoshi e Astrit Kabashi, ndërsa realizimi i tij mund të ndihmohet edhe nëpërmjet donacioneve online.

Filmi pritet të shfaqet në dy vjetët e ardhshëm.