Kryeministri Ramush Haradinaj dhe zv.kryeministrja bullgare, Ekaterina Zaharieva - Foto: ZKM

Zaharieva: Bullgaria do të Vazhdojë Mbështetjen për Kosovën

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, ka premtuar se vendi i saj do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen.

Shefja e diplomacisë bullgare ka qëndruar sot për vizitë në Kosovë, me ç’rast është takuar me presidentin Hashim Thaçi, me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se kryeministri Haradinaj dhe mysafirja nga Bullgaria kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit reciprok në fushën e ekonomisë dhe rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

“Kryeministri Haradinaj e njoftoi zëvendëskryeministren Zaharieva për intensifikimin e veprimeve të Qeverisë së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe veprimet dinamike drejt përmbushjes së obligimeve që burojnë nga MSA-ja”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu, Haradinaj e ka falënderuar ministren e Jashtme bullgare për rolin konstruktiv të Bullgarisë në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës.

Ndërsa, zëvendëskryeministrja Zaharieva ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve edhe në të ardhmen.

Gjatë ditës, me mysafiren nga Bullgaria është takuar edhe presidenti Hashim Thaçi.

Sipas një komunikate të Presidencës, presidenti Thaçi ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Bullgaria i ka dhënë Kosovës gjatë procesit të shtet ndërtimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Bullgaria është partner strategjik i Kosovës”, është shprehur Thaçi, duke shtuar se “Bullgaria në vazhdimësi ka qenë një mbështetëse e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike”.

“Kemi ndërtuar marrëdhënie të mira bilaterale. Tani kemi nevojë për një bashkëpunim më të madh ekonomik ndërmjet të dyja vendeve”, citohet të ketë thënë presidenti.

Kurse, ministrja e Punëve te Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva ka thënë se Bullgaria mbështet të gjitha përpjekjet për paqe e stabilitet në rajon.

“Duhet të shikojmë kah e ardhmja në paqe e bashkëpunim”, është shprehur ajo.

Presidenti Thaçi dhe ministrja Zaharieva – Foto: Presidenca e Kosovës