Konferenca Zaev- Haradinaj | Foto: KALLXO.com

Zaev: Hetim Ndërkombëtar për Rastin Kumanova

Zoran Zaev e Ramush Haradinaj, kryeministrat e Maqedonisë deh Kosovës dolën në një konferencë të përbashkët pas takimit që patën në ndërtesën e qeverisë.

Dy kryeministrat u pyetën mes tjerash edhe për rastin Kumanova- përleshjen e armatosur të vitit 2015 ku vdiqën tetë policë dhe 10 pjesëtarë të një grupi të armatosur, shumica nga Kosova, për të cilën u shqiptua dënimi prej 746 vjetësh burg.

Zaev paralajmëroi një hetim ndërkombëtar për këtë rast.

“Kjo është çështje e ndjeshme që nuk është provokuar as nga Haradinaj, as nga Zaev. Jemi dakorduar të ketë hetim ndërkombëtar me qëllim që t’u jepen qytetarëve përgjigjet e vërteta. Nuk duhet që kjo çështje të jetë pengesë mes dy vendeve”, tha Zaev.

Ndërsa Haradinaj tha se nuk ka çfarë t’i shtojë deklaratës së homologut të tij maqedonas për Rastin Kumanova.

Zaev më tutje tha se shkëmbimi tregtar mes dy vendeve ka arritur në 160 milionë euro, ndërsa duhet të kalojë 200 milionëshin.

Ai tha se Maqedonia mund të importojë qymyr nga Kosova për të shtuar kapacitetet e saj industriale,. Ndërsa sipas Zaev-it, kjo do të bënte edhe baraspeshë mes raporteve tregtare të dy vendeve.

Haradinaj tha se me Maqedoninë “jeta na lidh, fati na lidh dhe perspektiva na lidh”, ndërsa Zaev kësaj ia shtoi edhe fjalët se Maqedonia e Kosova “janë vende mike”.

Kryeministri maqedonas e ftoi Haradinajn për vizitë në Maqedoni, ndërsa paralajmëroi mbledhje të përbashkët të dy qeverive vitin e ardhshëm.

Organizimin e një seance të përbashkët qeveritare mes dy qeverive dhe ftesë haradinajt ne fillim te vitit të ardhshem

Zaev tha se Kosova do ta ketë përkrahjen e Maqedonisë për anëtarësim në UNESCO.

Ai tregoi për marrëveshjet e nënshkruara mes dy shteteve dhe ato që pritet të nënshkruhen.

“Me Kosovën kemi nënshkruar 19 marrëveshje dhe në pritje janë edhe 20 marrëveshje për t’u firmosur në të mirë të qytetarëve tanë”, tha Zaev.

Në takimin Zaev- Haradinaj u bisedua edhe për pjesën maqedonase të autostradës drejt Kosovës dhe hapjen e kalimit të ri kufitar në Bellanoc- Stançiq.