Marrëveshja mes Telekomit dhe "Z-Mobile"

‘Z-Mobile’ Heq Dorë nga Gjoba e Arbitrazhit ndaj Telekomit

Telekomi i Kosovës dhe Dardafon (z-Mobile) kanë arritur marrëveshje për përmbylljen e vendimit të arbitrazhit rreth kontratës për operator virtual të telefonisë mobile. Në dhjetor të vitit të kaluar Tribunali Ndërkombëtar i Arbitrazhit vendosi që “Vala” t’ia paguajë kompanisë “Z-Mobile” mbi 30 milionë euro, t’ia japë 100 mijë numra shtesë dhe t’ia ofrojë shërbimet 3 dhe 4 G.

Kryeshefi i Telekomit, Agron Mustafa tha se  nuk do të bëhet pagesa e gjobës në vlerë prej 32 milionë eurove, të cilën ia ka caktuar Arbitrazhi Ndërkombëtar Telekomit pas ankesës që ishte bërë nga kompania “Z-Mobile”.

Deri te marrëveshja, sipas tij, është arritur pas një procesi të gjatë të bisedimeve me pronarin e Dardafon, Blerim Devolli dhe menaxhmentit të dy kompanive.

“Jemi në bisedime qe një muaj e më shumë së bashku me ‘Z Mobile’, bisedime jo të lehta kanë qenë, por është vendimi i arbitrazhit që këto bisedime i ka qartësu e lehtësu me ardhë deri në pikën ku jemi këtu”, tha Mustafa.

Mustafa ka thënë se Telekomi është pajtuar që t’i ndajë numra shtesë dhe t’i ofrojë shërbimet e 3G dhe 4G operatorit “Z-Mobile”.

Mustafa ka thënë se me këtë marrëveshja është shmang falimentimi i Telekomit si dhe një proces i dytë i arbitrazhit për moszbatim të vendimit të parë.

 “Me sot i kemi ik edhe një procesi të mundshëm të arbitrazhit si rezultat i moszbatimit të këtij vendimi, i cili ka mujt me pasë pasoja edhe më të rënda, qoftë për telekomin apo edhe për vetë ‘Z mobile’ “, tha Mustafa.

Telekomi gjithashtu është pajtuar që të paguajë të gjitha shpenzimet që “Z-Mobile” i ka bërë gjatë tërë procesit të arbitrazhit që ka zgjatur gati 2 vjet. Por, kryeshefi Mustafa nuk e ka bërë të ditur shumën që Telekomi do të paguajë me arsyetimin se ajo do të dihet vetëm pasi “Z-Mobile” t’i dëshmojë me fatura të gjitha shpenzimet e bëra në arbitrazh.

Pronari i Z-Mobile, Blerim Devolli ka folur shumë shkurt në këtë konferencë. Ai ka thënë se marrëveshja nuk është arritur pas presionit të prokurorisë.

“Mund të shkoni në prokurori dhe ta merrni të kaluarën time kriminale “, tha Devolli.

Milot Gjikolli nga “Z-Mobile”, ka thënë se kjo kompani është obliguar t’i drejtohet arbitrazhit pas mos-zbatimit të kontratës nga Telekomi i Kosovës. Tha se marrëveshja e arritur është në interes të punëtorëve dhe afarizmit të dy kompanive.

“’Z Mobile’ apo ‘Dardafon’ është një kompani private e cila e ka lidhë një kontratë me Telekomin e Kosovës. Gjatë viteve kemi pasë një mosrespektim të kontratës dhe jemi detyruar t’i drejtohemi arbitrazhit”, tha Gjikolli.

“Z-Mobile” është operator virtual i “Valës”, ndërsa ishte zhvilluar një proces gjyqësor në lidhje me kontratën e nënshkruar mes këtyre dy kompanive, i cili përfundoi me shpalljen  të pafajshëm të të akuzuarve.

http://kallxo.com/mustafa-telekomi-pergjegjes-per-vendimin-e-arbitrazhit/