Visar Ymeri, ish-kryetar i Vetëvendosjes

Ymeri: Transportimi i Votuesve – Gjë e Zakonshme

Kryetari i Vetëvendosjes nuk e ka mohuar as pohuar transportimin e votuesve nga aktivistë të saj drejt qendrave të votimit në balotazhin e së dielës.

Në një konferencë për media, Visar Ymeri tha se Vetëvendosje natyrisht që i identifikon votuesit e saj dhe ata votues që pranojnë të votojnë i ndihmon edhe me transport ta kryejnë këtë të drejtë qytetare.

“Kjo është gjë e zakonshme, që ndodh në të gjitha vendet demokratike”, theksoi Ymeri.

Lidhur me këtë çështje, nënkryetari i VV-së, Dardan Sejdiu, tha se duhet të shihni se çka ka bërë misioni i BE-së në Kosovë për bartjen e votuesve.

“Vazhdimisht kanë bërë bartje të votuesve, e ka raste kur i kanë dërguar edhe kutitë tek votuesit. Thirrja për me votu është e ligjshme. Nëse përgjat gjithë ditës asnjë ankesë nuk bëhet nga subjektet politike, procesi është më i miri në 17 vitet e fundit e ata që kanë humbur normalisht që kërkojnë mjegull, kërkojnë tym”, tha Sejdiu.

Mediat kanë raportuar gjatë ditës së djeshme për transportim të votuesve nga aktivistët e VV-së drejt qendrave të votimit gjatë ditës së diel.