Visar Ymeri dhe Glauk Konjufca - Foto: KALLXO.com

Ymeri: Qeveria S’pati Guxim ta Sjellë Marrëveshjen e Demarkacionit në Kuvend

“Qeveria s’pati guxim ta sjellë Marrëveshjen në Kuvend. Këto zmbrapsje të vazhdueshme kallxojnë që edhe Qeveria e di se kjo Marrëveshje është. Është shumë mirë për Republikën e Kosovës që Marrëveshja e Demarkaiconit të mos ratifikohet në Kuvendin e Kosovës”, tha Ymeri në një konferencë për media.

Më tutje, kreu i LVV-së tha se ditëve të fundit është parë një luftë në mes të krerëve të LDK-së dhe PDK-së, e kjo, sipas tij, tregon vetëm një gjë: që ata interesohen vetëm për kolltukun e tyre.

“Republika e Kosovës duhet përfundimisht të shkëputet nga kjo Qeveri e individëve dhe ta sjellim një qeveri që është e domosdoshme për qytetarët”, tha ai.

Më tej, Ymeri tha se është e domosdoshme që të mërkurën kjo qeveri të bjerë, sepse ajo po e kërcënon Kosovën me demarkacion. “Kuvendi duhet ta shkarkojë këtë Qeveri, këtë keqqeverisje”, theksoi po ashtu ai.

Kreu i Vetëvendosjes tha se do të protestohet kundër ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit, me të gjitha mjetet, sikur është vepruar në dy vitet e fundit.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, theksoi se nuk janë vetëm deputetët e opozitës që e kanë penguar ratifikimin e Demarkacionit. Ai tha se për këtë kontribut të madh kanë dhënë edhe qytetarët me protestat e tyre, duke filluar nga fundi i vitit 2015 e deri tash.

“Këtu nuk duhet harruar edhe mundin e deputetëve të pozitës, të cilët e kanë pamundësuar ardhjen e demarkacionit në Kuvend”, tha ai duke shtuar se numri i deputetëve që e kundërshtojnë demarkacionin është rritur në vazhdimësi.

“Janë rreth 15-20 deputetë të koalicionit që janë kundër kësaj Marrëveshje të Demarkacionit. Ne i inkurajojmë që edhe tjerë deputetë të dalin kundër”, theksoi Konjufca.

Qeveria e Kosovës njoftoi se mbledhja e paraparë për sot për Demarkacionin do të mbahet pas seancës së Kuvendit.

http://kallxo.com/demarkacioni-e-pret-votimin-e-mocionit/