Visar Ymeri, ish-kryetar i Vetëvendosjes

Ymeri: Po Përgatitemi të Garojmë të Vetëm

Zgjedhjet e 11 qershorit janë zgjedhjet më të rëndësishme të mbajtura ndonjëherë në Republikën e Kosovës, tha kreu i Vetëvendosjes.

“Këto janë njëkohësisht referendum kundër krimit dhe korrupsionit por janë referendum edhe kundër Zajednicës dhe Demarkacionit”, shtoi ai.

“Dhe janë zgjedhje ku ka për herë të parë qartësi më të madhe politike dhe ku është vetëm një zgjidhje – e ajo është LVV”, theksoi Ymeri.

Afati për koalicione ka përfunduar dhe Vetëvendosje është duke i bërë përgatitjet e duhura që në këto zgjedhje të garojë e vetme, shtoi ai.

“Është dëshmuar se LVV ka paser të drejtë, sepse edhe Zajednica edhe Demarkacioni ishin gabim. Nuk u zvogëlua as papunësia dhe ikën 150 mijë veta gjatë kësaj qeverisjeje. Nuk u luftua as krimi i organizuar as korrupsioni institucional“, theksoi Ymeri, duke shtuar se programi i Vetëvendosjes dhe konsistenca e qëndrimeve dhe veprimeve politike e bëjnë partinë e tij si më të besuarën për transformimin e Republikës.

“Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për ta ndryshuar Kosovën, por përballë kemi njerëz me ambicie pushteti. Ata duan ta ndryshojnë jetën e tyre edhe kur ky ndryshim shkon në dëm të Republikës, në dëm të territorit e të popullit”, tha Ymeri, duke shtuar se Lëvizja Vetëvendosje bashkë me popullin do t’ia kthejnë Kosovës republikën, popullit dinjitetin dhe mirëqenien.

I pyetur rreth mundësisë së bashkëpunimit me LDK-në pas zgjedhjeve, Visar Ymeri tha se kanë pasur kërkesa për takime për marrëveshje.

“Po ta kishim hallin te largimi i klanit Pronto dhe Kadri Veselit natyrisht se do të kishim mundësi për biseduar për marrëveshje. Por, ata as që ishin të interesuar për këtë gjë. Ata ishin të interesuar të diskutojmë se si të mos e sulmojmë njëri-tjetrin. Pra, ata ishin më të interesuar se si të ruhet LDK-ja sesa si të shpëtohet Kosova. Dhe, bashkëpunim në kishte të tilla nuk mund të ketë“, tha lideri i Vetëvendosjes.

Pas zgjedhjeve, shtoi ai, në bazë të rezultateve do të kemi një realitet politik brenda të cilit do të veprojmë.

http://kallxo.com/mustafa-le-te-hapur-bashkepunimin-me-lvv-ne/