Pamje nga takimi i sotëm i Lëvizjes Vetëvendosje - Foto: KALLXO.com

Ymeri: Mustafa e Veseli po e Kërcënojnë Njëri-Tjetrin me Demarkacion

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, duke folur para të pranishmëve tha se partnerët e koalicionit po e përdorin Demarkacionin si kërcënim për njëri-tjetrin.

“Isa Mustafa po kërcënon me Demarkacion për ta ruajtur karrigen, në anën tjetër Kadri Veseli po kërcënon po ashtu me Demarkacion për t’ia marrë karrigen Isa Mustafës dhe në këtë luftë cilido që fiton humb Kosova sepse humb territorin e vet”, tha Ymeri.

“Në histori, në raste të ndryshme nëpër botë ka shtete që bëjnë agresion karshi territorit të shtetit tjetër, në Republikën e Kosovës e kemi Qeverinë që bën agresion karshi territorit të vet”, tha Ymeri, duke shtuar se sot janë mbledhur për të treguar se nuk ka asnjë mënyrë që Marrëveshja për Demarkacion të kalojë dhe të zbatohet.

Në këtë tubim janë diskutuar edhe rasti i vdekjes së Astrit Deharit, mbajtja në burg e aktivistëve të tjerë të dyshuar për sulm ndaj Kuvendit, për iniciativën e presidentit Thaçi për ushtrinë etj.

Sot gjatë ditës, pas një takimi në mes të kryeministrit Isa Mustafa, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe ambasadorit amerikan Greg Delawie, u vendos që Marrëveshja për Demarkacion të dërgohet në Kuvend pas përfundimit të seancës së mocionit që mbahet të mërkurën.

Qeveria e Kosovës njoftoi se mbledhja e paraparë për sot për Demarkacionin do të mbahet pas seancës së Kuvendit gjatë të cilës do të votohet mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë.

http://kallxo.com/demarkacioni-e-pret-votimin-e-mocionit/