Visar Ymeri, ish-kryetar i Vetëvendosjes

Ymeri: Ku është Strukur Ramush Haradinaj?

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka reaguar lidhur me urdhër-arrestet e lëshuara nga Gjykata e Prishtinës për deputetët e VV-së, të cilët nuk u gjetën sot nga Policia për t’u dërguar në seancë gjyqësore.

“Këto fletarreste për deputetët e dënime makabër për aktivistët janë hakmarrje e Klanit Pronto dhe Pronto 2 të LDK-së. Për shkak se nuk i lejuam ta shkatërrojnë Republikën”, ka thënë Ymeri në një postim në profilin e tij në “Facebook”.

Lidhur me atë për çka dyshohen katër deputetët e Vetëvendosjes, Ymeri thotë se politikisht dhe në aspektin kushtetues protesta e tyre është dëshmuar e drejtë dhe e domosdoshme.

“Duke e ndalur Zajednicën e shpëtuam rendin kushtetues të Republikës. Duke e pamundësuar ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi e ruajtëm integritetin territorial të Republikës”, ka shkruar ai.

Më pas, lideri i Vetëvendosjes pyet se ku është strukur kryeministri Ramush Haradinaj, i cili në kohën dhe për veprimet për çka akuzohen deputetët e VV-së ishte në të njëjtin kamp.

“Po Kryeministri? Ku është strukur? Pse nuk flet? Çka mendon sot? A kishim gabuar që u angazhuam bashkë në protestë? A është sot kundër protestës së përbashkët dje? A mendon sot se Zajednica e Marrëveshja për demarkacion është dashur të kalojnë? A është kapur edhe ai? Apo vetëm ia kanë lidhur gojën”, ka pyetur Visar Ymeri.

KALLXO.com raportoi se pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë parë sot në orët e para të mëngjesit pranë banesës së deputetit të Kosovës, Albin Kurti, në afërsi të parkut të qytetit. Siç merr vesh KALLXO, Policia nuk e ka gjetur Kurtin në banesën e tij.

Po ashtu, Policia ka shkuar ta kërkojë edhe deputeten Donika Kadaj-Bujupi, për të cilën gjithashtu Gjykata ka lëshuar urdhëresë për ta sjellë me detyrim në seancë gjyqësore.

Për shkak se nuk u paraqitën në seancë (përveç deputetit Faton Topalli), Gjykata e Prishtinës lëshoi urdhër-arrest për Albin Kurtin, Albulena Haxhiun e Donika Kadaj- Bujupin.

Dhe, Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj “përndjekjes” ndaj deputetëve të saj.