Kryetari i VV-së, Visar Ymeri - Foto: Vetëvendosje

Ymeri: Kosovës nuk i Duhet Lufta!

Në një konferencë për gazetarë sot kryetari i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri foli për tensionet e kohëve të fundit në raportet Kosovë-Serbi.

Sipas Ymerit këto tensione i solli dialogu i zhvilluar keq.

Të gjitha këto ndërhyrje Serbisë iu mundësuan nga negociatat pa kushte e pa parime dhe koncesionet e vazhdueshme ndaj saj, si rrjedhojë e po këtyre negociatave.

Ai për gjendjen e krijuar fajësoi krerët e shtetit Hashim Thaçin, Isa  Mustafën e Kadri Veselin, duke konstatuar se ata që e sollën këtë situatë nuk mund ta zgjidhin atë.

“Rruga e negociatave dhe e koncesioneve ndaj Serbisë, si dhe eksponentët kryesorë të kësaj rruge, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Isa Mustafa, nuk janë zgjidhja, por problemi,” tha Ymeri, sipas një komunikate të lëshuar nga “Vetëvendosja”.

Raportet mes Kosovës e Serbisë u tensionuan shumë kohëve të fundit pas arrestimit të Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze, shkarkimit të ministrit Ljubomir Mariq nga Kryeministri Mustafa dhe nisjes së trenit nga Beogradi me destinacion Mitrovicën Veriore.

Ymeri në konferencë tha se Kosova po kërcënohet me luftë, por ajo nuk i duhet.

“Kosovës sot nuk i duhet lufta. Më shumë se kurrë kemi nevojë për forcim të Republikës, shtetndërtim sovran, bashkërendim kombëtar, punë, drejtësi e paqe,” tha Ymeri.

Ai u bëri thirrje shteteve mike të Kosovës që të kthejnë sytë nga Ballkani.

“U bëj thirrje të gjithëve, shteteve mike të Republikës së Kosovës, atyre që e kanë njohur dhe e kanë ndihmuar Kosovën, që t’i kthejnë sytë kah Ballkani dhe ta kuptojnë se e vetmja formulë për paqe është drejtësia dhe dekolonizimi,” tha Ymeri.