Visar Ymeri, ish-kryetar i Vetëvendosjes

Ymeri: Jap Dorëheqje në Shenjë Mospajtimi

Visar Ymeri, kryetari i deritashëm i Lëvizjes Vetëvendosje, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat udhëheqëse në parti.

“Që nga dita e sotme kam vendosur të dorëhiqet parevokueshëm nga të gjitha pozitat e mia drejtuese të Lëvizjes Vetëvendosje. Më duhet ta them se ky është një prej vendimeve më të vështira që i kam marrë në jetë dhe një prej ditëve më të vështira të jetës sime”, ka thënë Ymeri në konferencën për media.

“Kur Lëvizja nuk është e bashkuar, nuk është e fortë, e kur kjo nuk është e fortë, humb Kosova”, tha Ymeri, duke thënë se dallimet brenda partisë e kanë bërë të marrë këtë vendim.

“Jap dorëheqje në shenjë mospajtimi me këto zhvillime dhe pasi nuk ia dola që t’i zgjidhja këto zhvillime. Shpresoj që kjo dorëheqje do të kuptohet si alarm për gjendjen që kemi ardhur dhe nga ata njerëz që kanë bërë linçime”, tha më tej ai. /21Media