Aksioni i policisë maqedonase për të kthyerit nga zonat e luftës në Siri. Foto: moi.mk

Xhihadistët e Burgosur në Maqedoni Përpiqen të Rekrutojnë Online

Ndërsa bëja kërkime për Shkatërrimin e Kalifatit Digjital – Prishja e Markës ISIS për Qendrën Ndërkombëtare të Studimit të Ekstremizmit të Dhunshëm, ICSVE, zbulova se terroristët e dënuar në Maqedoni të lidhur me ISIS vazhdonin të shpërndanin propagandë online.

Xhihadistët që aktualisht po vuajnë dënime në burgjet maqedonase përdorin lirshëm smartfonët për të parë video, për të pëlqyer fotot dhe për të kontribuar në diskutimet e lidhura me ISIS.

Disa prej këtyre personave gjithashtu kërcënojnë kritikët e ISIS dhe mbase e përdorin kohën e mjaftueshme pas qelisë për të komunikuar me mbështetësit e tjerë të ISIS.

Mediat sociale janë mjeti më i fuqishëm i ISIS për rekrutimin dhe përhapjen e ideologjisë së tij. Burgjet shërbejnë si pika grumbullimi për rekrutuesit dhe Maqedonia nuk përbën përjashtim.

Ndërsa qeveria maqedonase është përqendruar te dënimi i të kthyerve nga ISIS, ajo nuk ka strategji de-radikalizimi, ndërsa burgjet maqedonase kanë potencial të bëhen qendra të ISIS. ISIS është i aftë në krijimin e materialeve propagandistike, sidomos video, të cilat mund të përdoren lehtësisht për të rekrutuar të burgosurit.

Kam arritur të identifikoj gjashtë profile Facebook të cilat ndoshta i përkasin të dënuarve si rekrutues, financues dhe pjesëmarrës të betejave të ISIS.

Verifikimi nëse individët që qëndrojnë prapa profileve të Facebook janë të njëjtë me ata të arrestuar në operacionin policor të vitit 2015 është i vështirë – por emrat përputhen.

Duke analizuar njërin prej këtyre profileve zbulova një individ i cili komentoi në njërën nga videot e ICSVE e cila fliste kundër ISIS: “Allahu më dhëntë një djalë dhe ai do të jetë ashtu si djemtë në video, që mund të vrasë dhe të presë koka në emër të besimit dhe Allahut”.

Në një koment tjetër, ai deklaroi se kishte qenë në Siri dhe kishte dashur të qëndronte në të ashtuquajturin Kalifat.

Ai kishte postuar foto në qeli. Komentet e shokëve të tij linin të kuptohej se ai ishte i burgosur – dhe i uronin lirim të shpejtë. Identifikova pesë të tjerët përmes grupit të shokëve të tij.

Këto gjetje ngrenë një pyetje të rëndësishme; Çfarë po bëjnë burgjet dhe Ministria e Brendshme maqedonase për të luftuar radikalizimin në burgje?

Shumë ekspertë në fushën e Luftës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, CVE, bien dakord se jo të gjithë të kthyerit janë dezertorë, por ata ende besojnë në ideologjinë e ISIS.

Maqedonia nuk ka një strategji kombëtare për deradikalizim. Siç pretendon Departamenti Amerikan i Shtetit: “Nuk ka përpjekje të dukshme të qeverisë për të krijuar një komunikim strategjik apo kundër-narrativa dhe nuk ka programe për rehabilitim dhe riintegrim të terroristëve nga shoqëria”.

Disa studiues vendas që punojnë në CVE hezitojnë të kryejnë ose të publikojnë kërkimet e tyre prej kundër-reagimit shoqëror. OJQ-të që punojnë me komunitetet në rrezik radikalizimi, për të kundërshtuar rritjen e ekstremizmit, janë të vetëm në këtë betejë. Qeveria nuk ofron asnjë trajnim apo mbështetje financiare për këtë. Mbështetja më e madhe për këtë fushë vjen nga vendet perëndimore.

Qeveria maqedonase duhet të inkurajojë OJQ-të vendase që të punojnë në këtë fushë duke premtuar mbrojtje dhe mbështetje të plotë në trajtimin e radikalizimit. Ajo gjithashtu duhet të ftojë ekspertët ndërkombëtarë të CVE të bashkohen me aktorët vendas në hartimin e një plani veprimi kundër radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Duke qenë se mbi 70 individë janë kthyer në Maqedoni nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak, qeveria nuk duhet ta nënvlerësojë këtë problem.