Xhemshit Krasniqi

Xhemshit Krasniqi Dënohet për Krime Lufte

Një trup gjykues i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, i përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë, e shpalli fajtor të akuzuarin Xhemshit Krasniqin për kryerjen e veprës penale “Krime të luftës kundër popullsisë civile” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I pandehuri u shpall fajtor për arrestimin, ndalimin e paligjshëm, cenimin e integritetit trupor, të shëndetit dhe torturimin disa dëshmitarëve dhe civilëve të panjohur në kampet e UÇK-së në Kukës dhe Cahan (Shqipëri), si dhe në Prizren gjatë vitit 1999.

Sipas një komunikate të EULEX-it, i akuzuari i kreu veprat e tij në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së.

I pandehuri Xhemshit Krasniqi u dënua me dënim të përgjithshëm prej 8 vjet burgim dhe me një gjobë prej 1,500 eurosh.

Me anë të një vendimi të veçantë, atij i është vazhduar paraburgimi deri sa ky aktgjykim ta marrë formën e prerë.

Sipas komunikatës së EULEX-it, të gjitha palët kanë të drejtë ankese.

Ish-eprori i UÇK-së ishte arrestuar më 6 tetor të vitit të kaluar në rrethinën e Prizrenit.

Në kohën e arrestimit të Krasniqit, prokurorët e EULEX-it pretendonin se kishin prova për të dëshmuar se në mes prillit dhe majit të vitit 1999, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte ndërtuar në territorin e Shqipërisë dy kampe të paraburgimit ku janë keqtrajtuar disa të burgosur shqiptarë dhe romë.

http://kallxo.com/prokuroria-pjesetaret-e-uck-se-hidhnin-kripe-ne-plaget-e-te-burgosurve/

Qindra qytetarë kishin protestuar në Prizren një javë më vonë kundër arrestimit të Xhemshit Krasniqit.

http://kallxo.com/ne-prizren-protestohet-kunder-arrestimit-te-xhemshit-krasniqit/