Xhavit Haliti dëshmitar në gjykimin e kolegëve | Foto: KALLXO.com

Xhavit Haliti Nuk Përmend Emra se Kush Hedhi Gaz Lotsjellës në Kuvend

Anëtari i kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, tha sot në seancën gjyqësore ndaj katër deputetëve të Vetëvendosjes se nuk e ka parë saktësisht kush ka hedhur gaz lotsjellës gjatë seancave të Kuvendit.

Deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli e Donika Kadaj janë të akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës në seancë, ndërsa tre deputetë të PDK-së, përfshirë edhe Xhavit Halitin, kanë dëshmuar sot për këtë rast.

Haliti u pyet nga prokurori për rrethanat e hedhjes së gazit lotsjellës.

“Sinqerisht të them, siç e ka parë opinioni, i kam parë lëvizjet, i ka hedhë opozita. Nuk mund ta konkretizoj saktësisht se kush e ka hedhur. Mund të them se të gjithë kanë hedhur gaz, ka qenë kauzë e opozitës por nuk kam parë asnjë person të veçantë, konkret që e ka hedhur gazin. Arsyeja që nuk e kam vërejtur është se kam qenë kryesues i seancës, duke i shikuar shkresat dhe nuk mund ta specifikoj se kush e ka hedhur gazin”, tha Haliti.

“Nuk ka pasur mundësi që të mbahen seancat për shkak të gazit, të gjithë deputetët kanë dalë jashtë”, shtoi ai.

Haliti tha se vetë nuk e ka parë që dikush në sallë të Kuvendit të ketë marrë lëndime trupore si pasojë e gazit lotsjellës.

“Nuk e kam parë dikë drejtpërdrejt. Për lëndimet e disa kolegëve jam informuar nga portalet. Kam tentuar të dal i fundit nga salla, në sallë nuk ka mbetur askush i alivanosur, jashtë sallës nuk e di”, tha ai.

Kur u pyet nga Albin Kurti se si e din se tymi në sallë ka qenë gaz lotsjellës, Xhavit Haliti u përgjigj: “E kam provuar shumë herë këtë tym”.