Fitore Pacolli e Dardan Molliqaj (VV) në Debat Pernime. Foto: Atdhe Mulla

Xhavit Haliti ia Ndal Mikrofonin Fitore Pacollit: Po Bën Thirrje Për Luftë

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti i ka ndërprerë fjalën deputetes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli derisa kjo e fundit në shenjë pakënaqësie për përjashtimin e AKA-së nga organizata ndërkombëtare EQAR tha se duhet studentë te dalin në rrugë dhe të bllokojnë Prishtinës.

“Sot studentët e Kosovës do të duhej të bllokonin të gjitha rrugët e Prishtinës, do të duhej të bllokonin këtë qeveri, këtë kuvend. Sot studentët do të duhej të ishin në rrugë”, tha Pacolli.

I menjëhershëm ishte reagimi i nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti i cili ia ndërpreu fjalën deputetes Pacolli me arsyetim se nga parlamenti nuk mund të thërrasë protesta.

“Po më duket që je ka bën thirrje për luftë ti çikë por unë ta ndërpres fjalën. Ndërpritja fjalën se prej Parlamentit nuk ke të drejtë me thirrë protesta”, tha Haliti.

E kur fjalën e mori deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje Salih Salihu, iu drejtua nënkryetarit Haliti duke i thënë se është bërë shprehi e keqe t’i ndalet fjala deputetëve të VV-së.

Nënkryetari Haliti iu përgjigj se edhe atij do t’ia ndalë fjalën nëse bën thirrje për dhunë nga Parlamenti i Kosovës.

“Edhe ty ta ndali fjalën nëse prej foltores së parlamentit bën thirrje për dhunë. Diskuto çka të duash, kritiko qeverinë, kryetarin e Kuvendit, Presidentin por jo kështu mjaft me revolucionar mjaft”, tha Haliti derisa i përgjigje deputetit Salihu.

E debati mes tyre u zhvillua edhe më tutje ku Salihu thoshte se protestat janë e drejtë demokratike ndërsa Haliti deklaronte se për thirrje të dhunës nga Parlamenti në shtetet ndërkombëtare  deputetit i merret mandati.