Nga një seancë e gjykimit të deputetëve | Foto: KALLXO.com

Xhavit Haliti e Nuredin Ibishi Dëshmitarë në Gjykimin e Deputetëve të VV-së

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit haliti dhe ish-deputeti Nuredin Ibishi pritet të dëshmojnë sot në gjykimin e katër deputetëve të VV-së për gazin lotsjellës në Kuvend.

Seanca ishte paraparë të fillonte në orën 9:00, por sigurimi është duke kontrolluar mediat dhe njerëzit tjerë që duan të jenë pjesë e seancës së sotme.

Prezente janë edhe Blerta Deliu e Flora Brovina, që në këtë proces konsiderohen të dëmtuara.

Seanca e fundit lidhur me këtë rast ishte paraparë të mbahej më 22 nëntor, por ishte shtyrë në mungesë të Albin Kurtit, Donika Kadaj-Bujupit dhe Albulena Haxhiut.

Pasi nuk  e arsyetuan mungesën e tyre, gjyqtari Kalludra lëshoi urdhër arrest ndaj tre deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Deputetët u liruan vetëm 48 orë pasi ju caktua paraburgimi ndërsa më 27 nëntor u arrestuan përsëri pasi morën pjesë në festimet e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë pas numërimit të votave me kusht dhe atyre me post që i dhanë fitoren kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Atë ditë i pranishëm në gjykatë ishte vetëm Faton Topalli.

Katër deputetët e Vetëvendosjes akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Të akuzuarit ishin  arrestuar gjatë nëntorit e dhjetorit të vitit 2015.

Seanca fillestare ishte mbajtur më 6 janar 2016.

Pas leximit të aktakuzës, deputetët Kurti, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu nuk ishin deklaruar për fajësinë, ndërsa deputeti Topalli ishte deklaruar i pafajshëm.

Megjithëse nuk u deklaruan për fajësinë, deputetët aktakuzën e kundërshtuan duke e cilësuar politike.