William Walker, Shpëtimtari në Bronx

Dimrin e bardhë të atij janari e kishin nxirë uniformat e mijëra ushtarëve serbë që kishin rrethuar këtë fshat për të vrarë disa dhe tmerruar ata që sot janë gjallë.

Duke shikuar me plot admirim statujën e sapopëruruar të William Walker, ish-luftëtari i UÇK-së, Hasan Metushi ka dalë për të bërë homazhe te kompleksi memorial i viktimave të masakrës së fshatit Reçak.

Ambasadori William Walker që denoncoi para botës këtë masakër, kishte sensibilizuar SHBA-të dhe botën për atë se çfarë po ndodhte në Kosovë në atë kohë.

Nëna e Metushit, është viktima e vetme e zhdukur nga ky fshat pas masakrës së 15 janarit ku përveç civilëve sipas tij u vranë edhe 10 bashkëluftëtarë të tij.

Gjersa tregon mënyrën barbare të vrasjes së nënës, Hasani bën thirrje për më shumë përpjekje në gjetjen e afro 1700 të zhdukurve në të gjithë Kosovën.

“Dy janë dëshmorë, Afrim Syla dhe Kadri Syla, të tjerët janë civilë. Nana ka qenë me ta, është nda prej tyne se s’ka mujtë me hec përpjetë fshatit dhe ka hasë në paramilitarë edhe kanë gjujt në të, e kanë plagosur, e kanë vrarë dhe e kanë ngarkuar në një qese. Sot e asaj ditë nuk dihet për fatin e saj”, rrëfen Metushi.

Një tjetër i mbijetuar në radhën e civilëve, kujton po ashtu mëngjesin e datës 15 janar në bodrumin e vdekjes ku kishin qëndruar pothuajse gjysma e viktimave të fshatit.

Ramë Shabani kishte qëndruar vetë i 60-ti në një bodrum duke u fshehur nga forcat paramilitare që megjithatë rrahën maltretuan dhe vrarë dhjetëra banorë.

“Kur kanë nisë me granatu fshatin jemi hy në shtëpinë e Sadik Osmanit sepse ka pasur bodrum dhe në orën 15 pa 7 kanë nisë granatimet e para. Pastaj kanë hy na kanë marrë, në bodrum kemi qenë afër 60 vetë”, tregon Shabani.

Banorët thonë se nuk dorëzohen nga kërkesat për dënimin e krimit që ka ndodhur në atë ditë dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Në luftën e fundit në Kosovë mbetën të vrarë rreth 12 mijë persona dhe rreth 1700 vazhdojnë të jenë të zhdukur.