VV, Thirrje Ministrisë e KGJK-së: Respektojeni Vullnetin e Deputetëve!

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës që ta respektojnë votimin e sotëm në Kuvend për aktivistët e dënuar të saj.

Reagimi i VV-së erdhi pas kritikave që deputetët morën nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Ne e thërrasim Këshillin Gjyqësor të Kosovës që me seriozitet e përkushtim të kryejë mandatin e tij kushtetues. I njëjti në vend të reagimeve të pabaza, do të duhej të mos lejonte degradimin e sistemit të drejtësisë, si pasojë e së cilit, aktivistëve politik u montohen raste kriminale”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Ndërsa Ministrisë së Drejtësisë i kërkon të respektojë vendimet e Kuvendit, të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, si dhe të angazhohet sipas detyrimit kushtetues për krijimin e klimës për një shtet të mirëfilltë të së drejtës ligjore, si dhe për ligjshmërinë në Republikën e Kosovës.

“Ne kërkojmë nga Ministria e Drejtësisë, që të respektojë vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës pra të mos ndërhyjë në punën e Kuvendit por t’i kryejë me përgjegjësi detyrat që ia ngarkon ligji dhe Kushtetuta”.

Tutje VV thotë se sipas Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi, Këshilli Gjyqësor e ka për detyrë të kujdeset që palëve në procedurë të mos u shkilen të drejtat dhe duhet të kujdeset që gjyqtarët të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe jo të dënojnë qytetarët e Republikës së Kosovës për shkak të bindjeve të tyre politike.

“Aktgjykimi i cili i shpallë aktivistët tanë terroristë, duhet të jetë alarmi i fundit për zgjim të këtij institucioni”.

Vetëvendosje thotë se debati dhe votimi i rekomandimeve, janë në përputhje të plotë me Rregulloren e Punës së Kuvendit e po ashtu me praktikat parlamentare.

Kjo parti përshëndet votimin e rekomandimeve nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sic thuhet që padrejtësisht po mbahen në burg dhe janë dënuar me mbi 21 vjet padrejtësisht e politikisht, pa asnjë fakt dhe vetëm në bazë të indicieve dhe paragjykimeve e insinuatave.

“Ne do të angazhohemi, ditëve në vijim, që rekomandimet e Kuvendit të jetësohen”.