Foto: Facebook

VV: Studentët u Paraburgosën që të Mos u Shihen Lëndimet

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar sot ndaj paraburgimit të 6 studentëve aktivistë, të cilët u arrestuan të premten.

Në një konferencë për media, deputeti i Parlamentit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Liburn Aliu, tha se këta studentë u paraburgosën për, siç tha ai, për një festë.

“Ne besojmë se ata janë dënuar dje që të mos dëgjohet rrëfimi i tyre dhe që të mos shihen lëndimet që ata kanë pësuar. Ata janë lënduar në shumë pjesë të trupit si pasojë e rrahjeve gjatë ndërhyrjes, transportit në stacion dhe brenda hapësirave të stacionit policor”, tha Liburn Aliu lidhur me studentët e organizatës studentore “Studim, Kritikë dhe Veprim”.

“Paraburgimi është dënimi që po zbatohet me lehtësi ndaj aktivistëve dhe studentëve dhe sidomos kur kjo ka të bëjë me Lëvizjen Vetëvendosje ose me simpatizantët e saj”, theksoi Aliu.

Ndërsa, Berita Abazi, aktivistja e lëvizjes studentore “SKV”, ka përshkruar ndërhyrjen e policisë speciale në Parkun e Qytetit, në kohën kur studentët vetëm se ishin duke u shpërndarë.

“Dhe filluan të sulmonin fizikisht me grushta shkelma pendrek gome dhe sprej piperi studentët. Unë isha dëshmitare dhe i kam parë policët se edhe pasi që i kanë kapur studentët dhe i kanë shtrirë përtokë të lidhur i kanë goditur njërin pas tjetrit me shkelma dhe grushte njërin pas tjetrit pa ndalur”, tha Abazi, duke pretenduar se ka parë një polic atë natë që ka drejtuar edhe revolen ndaj studentëve.