Foto: Kallxo.com

VV-së i Ndahen 9 Asamblistë në Prishtinë

Nëntë asamblistë të zgjedhur nga lista e kandidatëve të Vetëvendosjes në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar, janë larguar sot nga grupi i këshilltarëve të kësaj partie në asamblenë komunale të Prishtinës.

Largimi i tyre ka bërë që grupi i këshilltarëve të VV-së të tkurret në 8 duke e humbur primatin e të qenit subjekti më i madh politik në komunë duke rrëshqitur në vendin e tretë.

Formimi i grupit të ri të këshilltarëve u bë pak javë pasi edhe kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, u largua nga kjo parti.

Asamblistët të cilët janë “pavarësuar” nga grupi i VV-së janë Ardian Berisha, Bashkim Beha, Drilon Pireva, Genc Sherifi, Mimoza Sylejmani, Nol Nushi, Qëndrim Sahiti, Vala Peshki dhe Visare Gorani.

Por edhe pas ndarjes së tyre, asamblistët e VV-së dhe ata të Pavarurit janë parë të ulur afër njëri tjetrit gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal gjatë ditës së enjte në të cilën u shqyrtuan një sërë pikash që kanë  të bëjnë me qytetarët e Prishtinës.

Megjithatë ajo që u vërejt më shume gjatë kësaj mbledhje ishte gjuha më e ashpër e asamblistëve të VV-së drejtuar Shpend Ahmetit për mospjesëmarrje në mbledhje të Kuvendit Komunal apo edhe akuza për presion ndaj ish nënkryetarit Dardan Sejdiu si njëri prej deputetëve të dorëhequr nga VV.