VV i Quan të Montuara Mesazhet e Reja Mes Deputetëve

Lëvizja Vetëvendosje demantoi sonte një lajm të botuar nga një portal në të cilin janë shfaqur bashkëbisedime ndërmjet disa deputetëve të kësaj partie pas mbledhjes së djeshme të kryesisë.

Bashkëbisedimi i pretenduar mes deputetëve Dardan Molliqaj e Dukagjin Gorani, grup në të cilin figuron edhe emri i deputetit tjetër Faton Topalli, është quajtur nga VV si inekzistent.

“Para pak çastesh, në portalin “Kosova Post” është publikuar një foto që pretendon se janë bisedat private të Nënkryetarit e deputetit Dardan Sejdiu dhe deputetëve Dardan Molliqaj, Dukagjin Gorani dhe Faton Topalli”, thuhet në reagimin e VV-së.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! dematon këtë lajm. Asgjë nga ato që thuhen aty nuk janë të vërteta, e as ai grup i bisedës nuk ekziston. Këto janë tentime për ta manipuluar opinionin, përmes shpifjeve e montazhave, në një kohë kur Lëvizja Vetëvendosje është duke u përpjekur t’i tejkalojë problemet e brendshme”, thuhet në reagim.

“Çdo tentim përmes rasteve të montuara dhe shpifjeve, t’i dëmtojë deputetët e saj, është duke u përpjekur ta dëmtojë Lëvizjen. Lëvizja Vetëvendosje dënon ashpër tentimet e kujtdo qofshin ato për të njollosur deputetët, anëtarët e Kryesisë dhe Lëvizjen”, përfundon reagimi.

Vetëvendosje tash e disa ditë është përfshirë në një debat të brendshëm pasi një fjali ofenduese e deputetes Aida Dërguti ndaj kolegut të saj Albin Kurti krijoi stuhi dhe përçarje brenda strukturave të partisë dhe anëtarësisë së saj.

Dërguti ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në Vetëvendosje pas publikimit të këtyre mesazheve.

http://kallxo.com/biseda-ne-viber-qe-mund-ta-ndaje-vetevendosjen/