Konferenca e VV-së | Foto: KALLXO.com

VV: Pushteti po Pengon Seancën për Deharin

Deputetë të Lëvizjes “Vetëvendosje” në një konferencë për gazetarë thanë se edhe pse bashkë me AAK-në e Nismën dy herë kanë arritur të mbledhin 40 nënshkrime deputetësh për një seancë të jashtëzakonshme që do t’i kushtohej vdekjes së dyshimtë të Astrit Deharit, në të dy herat ka pasur tërheqje të nënshkrimeve të deputetëve.

“Këto tri ditë, dy herë ka ndodhë tërheqja e nënshkrimeve,” tha Glauk Konjufca.

Tërheqja e parë sipas Konjufcës ndodhi dje.

“Rasti i parë ai me Bislim Zogajn, kjo na bind që ka qenë në koordinim me Kadri Veselin. Kërkesa e Bislim Zogaj na ka ardhë pak sekonda para se të nisë mbledhja e kryesisë. E koordinuar edhe me minuta e sekonda që më të mos kishim mundësi që atë moment t’i kishin nënshkrimet,” tha Konjufca.

KALLXO.com shkroi dje për dështimin e kësaj seanceje.

http://kallxo.com/deshton-organizimi-nje-seance-per-astrit-deharin/

Konjufca më tutje në konferencë tregoi se partitë opozitare mblodhën përsëri 40 nënshkrime, por njëri nga deputetët nënshkrues u tërhoq pak para dorëzimit të kërkesës për seancë.

“Sapo i bëmë prapë 40 nënshkrime, ishim të gatshëm sot ta procedonim, ndodhi intervenimi i pushtetit. Njoftim për tërheqjen e nënshkrimit të deputetit Danush Ademi që tërheq nënshkrimin e tij,” shpjegoi Konjufca.

KALLXO.com kontaktoi deputetin Danush Ademi për ta pyetur rreth tërheqjes së nënshkrimit të tij.

“Po është e vërtetë që kam tërhequr nënshkrimin, pasi që vlerësoj se duhet të presim që organet e drejtësisë ta thonë fjalën e fundit,” tha Ademi.

Ai mohoi se ka pasur presion për ta tërhequr nënshkrimin.

“Sa i përket dikujt nëse më ka kërcënuar a më ka bo presion, nuk është e vërtetë. Unë jam deputet që 10 vjet,” tha deputeti i Partisë Demokratike të Ashkalive të Kosovës Ademi.

Ai shpjegoi edhe pse nënshkroi kërkesën e partive opozitare për seancë të jashtëzakonshme që do t’i kushtohej vdekjes së Astrit Deharit.

“Unë kam mendu që të gjitha grupet parlamentare kanë marrë vendim dhe m’ka ardhë keq mos me nënshkru. Por, kjo nuk ka qenë prej të gjitha grupeve parlamentare dhe duke bisedu me deputetët e partisë tonë, partia ka vendos ni gja të tillë, duhet të presim që organet e drejtësisë ta thonë fjalën e vet,” tha Ademi.

Në konferencë, Glauk Konjufca deklaroi se ata që po pengojnë mbledhjen e nënshkrimeve janë përgjegjës për vdekjen e Deharit në burg.

“Vetë këta njerëz që po përpiqen e bëjnë çmos që kjo seancë të mos mbahet janë përgjegjësit kryesorë pse ai ka vdekur në burg.Ngritja e këtij rasti në parlament nuk është politikë, por me qëllim të mirë që të mos ndodh më,” tha Konjufca.

Aida Dërguti, nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja e “Vetëvendosjes” tha se dje pas orës 15:00 kur deputetët opozitarë i kishin 40 nënshkrime dërguan kërkesën për seancë të jashtëzakonshme dhe për mbledhje të Kryesisë së Kuvendit në orën 17:00.

“Në 16:30 na informon këshilltari i kryetarit se kryetari ka dalë dhe se nuk mund të kontaktojë me të, arsye të mos mbahet mbledhja e kryesisë. Ndërkohë arsyeja pse kjo shtyrje ka ndodhë është për të vazhduar me presionin. E Albulenës i vie e-mail nga Danushi që unë tërheq nënshkrimin,” tha Dërguti.

Dërguti tregoi se deputetët që nuk kanë dhënë nënshkrimet e tyre janë arsyetuar se po presin rezultatet e hetimeve.

Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor nën rrethana të pasqaruara derisa po mbahej në paraburgim si i dyshuar për sulmin me granatahedhës në Kuvendin e Kosovës që ndodhi më 4 gusht.

Dje kryeprokurori i Prizrenit Sylë Hoxha tha për KALLXO.com se rezultatet e autopsisë për Deharin pritet të dalin këtë javë.

http://kallxo.com/ne-fund-te-javes-rezultatet-e-autopsise-se-deharit/