VV Pret më Shumë nga BE, BE Pret më Shumë nga VV

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, dhe shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Natalia Apostolova, kanë qenë shumë të hapur në kërkesat ndaj njëri- tjetrit të enjten pasdite kur janë takuar në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Konjufca dhe Apostolova i kanë bërë sugjerimet për njëri- tjetrin se si të sillen në të ardhmen në përmbushjen e detyrave të vendit.

“E dimë që Kosova ka shumë sfida dhe e dimë rolin e rëndësishëm që e ka BE në Kosovë. Jemi 9 vite me praninë tuaj në Kosovë, ju keni dhënë shumë kontribut sidomos në sundimin e ligjit dhe forcimin e komuniteteve”, tha shefi i GP të VV-së.

“Por, është e qartë që pritjet e qytetarëve kanë qenë më të mëdha për kontributin tuaj. Së pari, shteti ynë ende nuk e ka të kompletuar shtetësinë e vet, 5 shtete që nuk e kanë njohur Kosovën nuk kanë lëvizur nga qëndrimi i tyre”, tha Konufca duke iu referuar qëndrimit refuzues për njohjen e Kosovës nga Spanja, Qipro, Greqia, Rumania e Sllovakia.

“Problem serioz është fakti që BE ka qenë këtu 9 vite dhe është marrë me legjislacionin, dhe çdo Raport Progresi ka kritika në paanshmërinë e gjyqësorit, dy kritikat kryesore janë: ndikimi politik në gjyqësor dhe mos reformimi i administratës”, tha Konjufca.

Ndërsa Apostolova tha se fakti që mendjet e partive politike dhe qytetarëve janë në fushatë zgjedhore, ka ndikuar që të evidentohen vonesa në reformat e kërkuara.

“Ju jeni opozitë e fortë, por unë pres nga ju të jeni opozitë konstruktive. Jemi të inkurajuar nga programi qeveritar, që pjesa kryesore e agjendës së qeverisë është reforma europiane, MSA dhe reforma ekonomike. Këto le të themi janë ‘biblat’ tona. Do të koncentrohemi si ta përshpejtojmë agjendën e reformave europiane”, tha Apostolova.

“Dialogu është gjëja tjetër që dua të jap vëmendjen time. Për ne dialogu Prishtinë- Beograd është jashtëzakonisht i rëndësishëm’, tha Apostolova.