Pamje nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes – Foto: KALLXO.com

VV Paralajmëron Protesta Nëse Nuk Lirohen Aktivistët dhe Deputetët

Lëvizja Vetëvendosje përmes një deklarate kërkon drejtësi për pesë aktivistët e dënuar për terrorizëm dhe katër deputetët të arrestuar për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Vendimi për këtë deklaratë u mor në mbledhjen e 31-të të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, ku gjithashtu u vendos për të shpallur zgjedhje të brendshme.

Kjo deklaratë vjen në vend të një proteste, që sipas kësaj komunikate nuk u mbajt për shkak të zgjedhjeve lokale dhe situatës problematike brenda lëvizjes por që sipas tyre mund të mbahet në shkurt në rast se nuk plotësohen kërkesat brenda kësaj deklarate.

Në deklaratë po ashtu kërkohet drejtësi lidhur me vdekjen e aktivistit Astrit Dehari, i cili ishte po ashtu i akuzuar për terrorizëm dhe vdiq në paraburgim.

“Ne kërkojmë njëkohësisht drejtësi për Astritin dhe liri për aktivistët. Nëse regjimi vazhdon të mos veprojë, ne do të organizohemi në protesta. Këshilli i Përgjithshëm i bën kërkesë kryetarit, kryesisë dhe Sekretariatit të Përgjithshëm, që të përcjellë me vëmendje kërkesat e familjarëve dhe të avokatëve të aktivistëve të dënuar, duke bërë ç´është e mundur, me të gjitha kapacitetet njerëzore, logjistike e financiare të Lëvizjes, që kjo çështje të avancojë në shkallët më të larta të gjyqësorit”, thuhet në deklaratë.

Përmes kësaj deklarate, Këshilli i Përgjithshëm ka reaguar edhe lidhur me arrestimin e deputetëve, Albin Kurti, Faton Topalli, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu që po gjykohen për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti politik më i madh në vend, dhe as nuk pajtohet e as nuk do ta lejojë arrogancën e gjyqësorit të kapur ndaj deputetëve tanë, të cilët nuk kanë bërë asnjë krim, por vetëm kanë mbrojtur territorin dhe të ardhmen e Kosovës. Ne kërkojmë me këmbëngulje që institucionet të reagojnë ashtu siç është e drejta dhe ligji, t´i lirojnë aktivistët dhe deputetët e pafajshëm, dhe të mundësojnë të bëhet drejtësi për rastin e Astrit Deharit”.

VV ka vënë ultimatum për kërkesat e tyre muajin shkurt 2018, përndryshe do të përgjigjen vetëm me demonstrata.