Foto: KALLXO.com

VV në Komision Parlamentar Nuk e Mbështet Marrëveshjen e re për Demarkacionin

Komisioni për Punë të Jashtme ia ka dërguar Kryesisë së Kuvendit marrëveshjen e Demarkacionit për ta futur në rend të ditës për seancë.

Përveç marrëveshjes së Demarkacionit, deputetëve të Kuvendit do t’i shkojnë në pako edhe deklarata e dy presidentëve dhe raporti i komisionit Bulliqi.

Komisioni e ka dërguar marrëveshjen në seancë pa rekomandim duke e lënë në vullnet të deputetëve për të vendosur.

Ish kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se kjo marrëveshje nuk i duhet Kuvendit dhe konfirmoi që do të votoj kundër kësaj marrëveshje.

Ndërsa deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Dukagjin Gorani e ka quajtur marrëveshjen e presidentëve si korrigjim improvizues.

“Mos pranimi i dëmit dhe futja në improvizime si kjo e presidentëve e thellon edhe më shumë dëmin. Mbi një marrëveshje të dëmshme është tentu me u bo një korrigjim formal improvizues”, tha në mes tjerash deputeti Gorani.

Ndërsa sipas deputetit të PDK-së, Elmi Reçica, ratifikimi i kësaj marrëveshje do të përmbushë kushtin për liberalizim të vizave.

E për deputetët e AAK-së, Time Kadriaj, kjo marrëveshje duhet të votohet, sepse u janë bashkangjitur edhe raporti i komisionit të Bulliqit edhe deklarata e presidentëve.

“Bashkë me marrëveshjen për demarkim, po votojmë edhe raportin e komisionit (të Bulliqit) dhe deklaratën mes presidentëve. Nëse kjo marrëveshje kish ardhë pa këto dy dokumente ne do të votonim kundër, por tash besoj është bë një punë e mirë”, tha deputetja e AAK-së, Time Kadriaj.

Presidenti i Kosovës dhe ai i Malit të Zi, javën e kaluar kanë dal me një deklaratë të përbashkët ku janë pajtuar që ta ratifikojnë marrëveshjen e demarkacionit dhe ti lënë hapësirë të rishikohen pikat kufitare në Çakorr dhe Kullë.

Lëvizja Vetëvendosje është partia e vetme shqiptare që nuk e ka mbështetur këtë iniciativë.