VV Mbyll Takimin 6 Orësh me 1 Minutë Deklaratë

Mbi gjashtë orë diskutime në mbledhjen e kryesisë dhe Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje kanë përfunduar me një deklaratë të shkurtër të kryetarit të saj, Visar Ymeri, në të cilën u bëhet thirrje aktivistëve dhe anëtarësisë së partisë që ta ndalin gjuhën e përdorur tash e sa ditë ndaj deputetes Aida Dërguti.

Arsye e mbledhjes së sotme ishte dalja në publik e një komunikimi në rrjetin Viber në të cilin Aida Dërguti e ofendonte themeluesin e partisë, Albin Kurti.

Vetë Kurti nuk ka qenë i pranishëm në takim meqë është duke vuajtur paraburgimin për shkak të refuzimit të vazhdueshëm për të marrë pjesë në seancat gjyqësore në rastin ku akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

Në deklaratën e tij për gazetarë, Ymeri tha se VV eka pranuar dorëheqjen e sotme të Aida Dërgutit nga pozitat e kryetares së qendrës së partisë për Vushtrrisë dhe nga pozita e anëtares së kryesisë qendrore të VV-së.

“I diskutuam zhvillimet e fundit sa i përket organizatës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe poashtu kryesia dhe Grupi Parlamentar e pranuan dorëheqjen e zonjës Aida Dërguti nga kryesia e Lëvizjes dhe kryetares së qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri”, tha Ymeri.

“Kryesia e quan të papranueshme dhe e dënon gjuhën e përdorur në rrjetet sociale gjatë kësaj fundjave dhe kërkojmë nga të gjithë aktivistët dhe anëtarësia e Lëvizjes Vetëvendosje që ta ndalin përdorimin e kësaj gjuhe në rrjete sociale ndaj figurave të Lëvizjes Vetëvendosje”, shtoi ai.

Kur e përfundoi deklaratën e tij, Ymeri nuk pranoi të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve.

Ndërsa deputeti Fisnik Ismaili, duke dalë nga mbledhja, nuk deshi të flasëpara gazetarëve, por thumboi LDK-në duke pretenduar se diskutimi në mbledhjen e sotme ka enë i qetë.

“Nji sen, në Vetëvendosje karrika s’ka”, tha Ismaili duke aluduar në Kyvendin e LDK-së të vitit 2006 në të cilin u përdoren karriget ndërmjet grupeve brenda partisë për t’i qëruar hesapet.