Albulena Haxhiu në #DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

VV Mbledh Nënshkrime Për Hetimin e  Demarkacionit

Lëvizja Vetëvendosje tha sot se ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për ta formuar një komision parlamentar i cili od ta hetonte marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

Vendimi për mbledhjen e këtyre nënshkrimeve erdhi në ditën kur presidentët e Kosovës dhe Malit të Zi, Hashim Thaçi e Filip Vujanoviq, nënshkruan një deklaratë me të cilën janë marrë vesh për votimin në Kuvend të Kosovës të marrëveshjes dhe rishikimin eventual të saj në disa pika kontestuese, më pas.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha të premten se deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu, është duke i mbledhur këto nënshkrime nga deputetët.

Në një deklaratë për KALLXO.com, Albulena Haxhiu tha se ka nisur mbledhjen e këtyre nënshkrimeve por nuk dha një numër të saktë të firmave të mbledhura deri më tani.

“Deri më tani kemi nënshkrimet e Lëvizjes Vetëvendosje për shkak se disa nga deputetët ende nuk janë në Prishtinë, por kanë shprehur gatishmëri të nënshkruajnë. Nuk mund të jap detaje të tjera sepse ende jemi duke pritur”, tha deputetja Haxhiu.

Ajo tha se ideja për themelimin e këtij komisioni ka gjetur mbështetje edhe te partitë që dikur VV i ka pasur në koalicion opozitar kundër demarkacionit.

“Ka pasur edhe deputetë të AAK e NISMA që e kanë përkrahur idenë e themelimit të Komisionit për hetimin e marrëveshjes për demarkacionin”, tha Albulena Haxhiu.