Presidenti shqiptar, Ilir Meta pritet nga drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje - Foto: Facebook

VV: Kosova e Shqipëria të Intensifikojnë Njëjtësimin e Politikave

Drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë pritur sot në një takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Siç ka njoftuar kreu i VV-së. Visar Ymeri, në takim është diskutuar për situatën politike në të cilën po kalon Republika e Kosovës dhe kombi shqiptar në përgjithësi.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë duhet ta intensifikojnë bashkëpunimin dhe njëjtësimin e politikave, si në rrafshin brendakombëtar, po ashtu edhe në politikën e jashtme; në funksion të faktorizimit, zhvillimit e sovranizimit tonë të përbashkët”, thuhet në njoftimin e Visar Ymerit të bërë përmes profilit të tij në “Facebook”.

Gjatë ditës së djeshme, presidenti shqiptar është pritur nga homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi, i cili i ka kërkuar presidentit Meta që përballë izolimit të shtetasve të Kosovës, Shqipëria t’i pajisë qytetarët kosovarë me pasaportë shqiptare.

Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, presidenti Meta është takuar edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, presidenti Meta ka vizituar edhe kompleksin memorial në Prekaz, ku e cilësoi frymëzuese sakrificën e Adem Jasharit dhe familjes së tij.