VV: “Klani Pronto Kontrollon Policinë”

“Klani pronto jo vetëm që kontrollon ndërmarrjet shoqërore, agjencitë shoqërore, ka shtrirë kontrollin edhe mbi policinë e Kosovës. Tash mund të paramendojmë qartë se si arrestohen aktivistët dhe deputetët e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’,” tha Ylli Hoxha nga subjekti më i madh opozitar në një konferencë për gazetarë.

Në njërën nga xhirimet e përgjimeve të publikuara dje nga Insajderi dëgjohet Adem Grabovci duke ua bërë punë të kryer disa personave punësimin në Policinë e Kosovës, të cilën gjë policia e mohoi të njëjtën ditë, duke i cilësuar konkurset e saj transparente dhe publike.

Hoxha shfaqi edhe mendimin e tij për mosarrestimin e asnjë personi pas publikimit të përgjimeve.

“Nuk mund të presim nga prokurorët sepse ata i ka punësuar klani pronto, nuk mund të presim nga policia sepse drejtuesit e policisë janë nën kontroll të klanit pronto, nuk mund të presim të na tregojë të vërtetën RTK-ja sepse menaxhmenti i këtij mediumi është i vendosur në funksion të klanit pronto,” tha ai.

Por zëdhënësi i policisë Daut Hoxha mohoi se policia kontrollohet nga dikush jashtë strukturave të saj.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore, në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi,” tha zëdhënësi Hoxha për KALLXO.com.

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së Mentor Shala deklaratat e “Vetëvendosjes” i cilësoi presion.

“Kam kërkuar që Lëvizja Vetëvendosje ta ndalë gjuhën ofenduese, shantazhuese dhe nxitëse ndaj transmetuesit publik, për shkak se është subjekt politik dhe ky është parim ndërkombëtar, media dhe politika duhet të mbajnë distancë nga njëra tjetra. Nuk mundet me dalë një parti politike me tregu se si duhet të jetë një transmetues publik,” tha Shala.

KALLXO.com kontaktoi edhe kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezi për ta pyetur rreth deklaratave të “Vetëvendosjes”, por komunikimi me të ishte i pamundur.

Në konferencë, aktivistët e “Vetëvendosjes” bënë thirrje që qytetarët t’i bashkohen protestës së 1 shtatorit duke thënë se “mobilizimi është mënyra e vetme që këtë klan printo ta ndalim”.

“Vetëvendosja” ka paralajmëruar protestë më 1 shtator, ditën kur në kuvend është në rend dite ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit.

Deputetja e “Vetëvendosjes” Donika Kadaj-Bujupi tha se protagonistët e përgjimeve mund të ndalen vetëm me mobilizim.

“Prandaj ne dëshirojmë që edhe njëherë të ju thërrasim duke parë degradimin që po ndodh në vend që me datë 1 shtator gjithë secili të dalë në sheshet e Prishtinës  të mobilizohemi si asnjëherë më parë  sepse kjo do të jetë mënyra e vetme që këtë klan pronto ta ndalim, t’i kërkojmë llogari dhe vendit t’i hapim perspektivë dhe horizonte të reja,” tha Kadaj- Bujupi.

Thirrje për dalje në protestën e 1 shtatorit bëri edhe Ylli Hoxha.

“Protesta në rrugë është zgjidhja, mobilizimi qytetar, kundërshtimi i këtyre njerëzve dhe pamundësimi i ushtrimit të krimit në emër të qytetarëve të Kosovës është e vetmja zgjidhje për të përmbysur këtë rend të kriminelëve të vendosur në Prishtinë,“ shtoi Hoxha.

“Vetëvendosja” ka paralajmëruar protestë më 1 shtator, ditën kur në kuvend është në rend dite ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit.