VV Kërkon Përgjegjësi nga Qeveria për Punëtorët e KEDS-it

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli ka thënë se KEDS-i në mënyrë të papërgjegjëshme ka larguar nga puna 95 punëtorë.

“Pa asnjë përgjegjësi morale dhe ligjore ka larguar para dy ditësh 95 punëtorë, 75 në maj dhe 160 brenda një viti përmes presioneve e shantazheve. Këto janë pasojat aktuale të privatizimit, por jo të fundit. Diku rreth 332 brenda vitit”, ka thënë deputeti Topalli.

Topalli kërkoi që Qeveria të ndërmarrë masa për t’iu dalë në mbrojtje punëtorëve të Kosovës, të cilët sipas tij janë kategoria më e shtypur dhe e diskriminuar në vend.

“Punëmarrësi në Kosovë janë kategoria më diskriminuar në vendin tonë. Ata janë lënë pa mbrojtje ligjore dhe pa asnjë mbrojtje të mirëfilltë. Oraret e gjata të punës, kushtet e vështira në punë, mungesa e sigurimeve shëndetësore, mungesa e kompensimit të rrogave pas fatkeqësive në punë, puna me muaj dhe ndonjëherë me vite pa asnjë ditë pushi, janë vetëm disa nga problemet që i bëjnë punëmarrësit e Kosovës në skllevër të vërtetë”, shtoi Topalli.

KALLXO.com ka raportuar para disa ditësh se KEDS ka marrë vendim që për arsye ekonomike, teknike dhe organizative të mbyllë Departamentin e Projekteve në Operim, dhe si rezultat të gjithë të punësuarve në këtë Departament u ndërpriten kontratat e punës.

http://kallxo.com/keds-ua-nderpret-kontraten-edhe-95-punetoreve/

Ndërsa Drejtuesi i Komitetit për Energjetikë, Naim Hoxha, tha që largimet e punëtorëve nga puna rrit papunësinë dhe ua pamundëson punëtorëve që kryesisht janë mbi 40 vjeçar mundësinë për një jetë me dinjitet.

“Në anën tjetër përjashtimi nga vendet e punës e përjashton dijen dhe përvojën që shoqëria e ka krijuar për një kohë të gjatë në fusha specifike të industrisë së prodhimit, duke kushtëzuar njëkohësisht kualifikim të fuqisë punëtore”, ka thënë Hoxha.

Ai shtoi se procesi i privatizimit ka shpërfillur faktin se këta janë njerëz të cilët kanë familje për të mbajtur.

“Ky proces privatizimi e ka shpërfillur plotësisht faktin që këta janë njerëz, me familje, me përvojë jetësore e profesionale, me histori, të drejta, dinjitet e mundësi. Kështu secili punëtor është i largueshëm. Tërë kjo për ta rritur profitin e KEDS-it duke e ulur koston e punës”, ka shtuar Hoxha.

http://kallxo.com/keds-vazhdon-te-largoje-punetore-nga-puna/

http://kallxo.com/punetoret-keds-protestojne-kunder-largimit-nga-puna/