VV Kërkon Interpelancë të Haradinajt Lidhur me Rastin Dehari

Lëvizja Vetëvendosje do të kërkojë interpelancë të Kryeministrit të Kosovë, Ramush Haradinaj lidhur me kërkesën e familjes Dehari për hetim ndërkombëtar të vdekjes së Astrit Deharit.

Astrit Dehari kishte vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në nëntor të vitit 2016 ndërsa nga institucionet kosovare vdekja u cilësua si vetëvrasje.

Në një vjetorin e vdekjes së tij, Kryeministri Haradinaj kishte zotuar mjete financiare për të plotësuar kërkesën e familjes Dehari për hetim ndërkombëtar.

Në një konferencë për media, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se tre muaj pas këtij zotimi, ende nuk janë hapur rrugët për hetim ndërkombëtar nga instituti zviceran.

“Lëvizja Vetëvendosje do të zhvillojë dhe intensifikojë aktivitetin në trysninë publike e politike për këtë gjë, me ç’rast ne do të fillojmë me një interpelancë me Kryeministrin Haradinaj lidhur me hetimin e domosdoshëm të pavarur dhe ndërkombëtar lidhur me rastin e Astrit Deharit”, tha Kurti.

Kryetari i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca po ashtu bëri të ditur se kanë kërkuar shkarkimin e tre prokurorëve që janë marrë me gjykimin për terrorizëm ndaj disa aktivistëve të VV-së, përfshirë Deharin.

“Nga KPK kemi kërkuar që më 5 shkurt të shkarkohen nga çdo funksion brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës, tre prokurorë të shtetit të cilët kanë qenë drejtpërdrejtë të përfshirë në rastin e akuzës për terrorizëm për aktivistët ndër të cilët ishte edhe Astrit Dehari i cili gjeti vdekjen. Këta janë Sylë Hoxha, Metush Biraj dhe Avdurrahim”, tha Konjufca.