Sami Kurteshi në konferencën e VV-së

VV Kërkon Debat për Dënimin Rreth Sulmit në Kuvend

Lëvizja Vetëvendosje do ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës një kërkesë që të debatohet për dënimin e aktivistëve të saj në lidhje me sulmin në Kuvend dhe vdekjen e Astrit Deharit.

Këtë zhvillim në emër të Vetëvendosjes e bëri të ditur sot në një konferencë për gazetarë deputeti i këtij subjekti Sami Kurteshi.

“Sot Vetëvendosja do të dërgojë një kërkesë në Kuvend për një debat parlamentar në lidhje me burgimin e aktivistëve tanë dhe vrasjen e Astrit Deharit”, tha Kurteshi.

Kurteshi tha se edhe pse kanë 20 ditë nga shpallja e aktgjykimit për aktivistët ende ky aktgjykim nuk u është dorëzuar palëve.

“Aktivistët tanë padrejtësisht po mbahen në burg. Kanë kaluar 20 ditë që është shpallë vendimi për aktivistet tanë por në mënyrë të kundërligjshme po vonohet aktgjykimi, nuk kemi ende ndonjë arsye se pse po ndodh ky vonim i aktgjykimit”, tha Kurteshi.

Me Kodin e Procedurës Penale parashikohet që aktgjykimi t’u dorëzohet palëve 15 ditë pasi të shpallet nga gjykata.

Dënimin për sulmin në Kuvend Kurteshi e cilësoi të motivuar politikisht.

“Krejt ky dënim është bazuar në hamëndësime dhe perceptime të pabazuara dhe kjo dëshmon krejtësisht në një dënim të bazuar politikisht”, tha Kurteshi.

Ai deklaroi se gjykata nuk i ka shkruar Kuvendit në lidhje me mungesën në seanca të deputetit Frashër Krasniqi për shkak të mbajtjes së tij në paraburgim.

Aktivistët e Vetëvendosjes u dënuan më 17 nëntor për sulmin e vitit të kaluar në ndërtesën e Kuvendit me granatahedhës.

http://kallxo.com/21-vjet-e-gjysme-burg-per-aktivistet-e-vv-se/

Edhe Adea Batusha, njëra nga të dënuarit e këtij procesi gjyqësor reagoi lidhur me vonesën e dorëzimit të aktgjykimit.

“Sot Frasheri, Atdheu e Egzoni janë të mbyllur ne Dubravë teksa kanë kaluar 4 ditë nga dita kur është dashur të shpallet aktgjykimi”, shkroi Batusha.

Në aktgjykim të shkruar gjykata jep arsyet pse vendosi ashtu si vendosi për një çështje të caktuar gjyqësore.