Pengimi i aksionit të Vetëvendosjes

VV-ja nuk Lejohet t’i Afrohet Shtëpisë së Kadri Veselit

Aktivistët planifikonin ta vendosnin një pllakat para shtëpisë në Lagjen Bair të Mitrovicës ku jetojnë prindërit e Kadri Veselit, por janë penguar nga policia për ta realizuar këtë aksion simbolik.

Këta aktivistë nga selia e “Vetëvendosjes” në Mitrovicë ashtu siç kishin planifikuar u nisën drejt lagjes ku ndodhet shtëpia e Veselit por gjatë rrugës u përballën me policinë.

Faruk Mujka, kryetar i Lëvizjes “Vetëvendosje” në Mitrovicë tha për KALLXO.com se gjatë kësaj përleshjeje një aktivist u lëndua e një tjetër u arrestua, ndërsa policia bëri të ditur se në këtë rast arrestoi dy persona.

Aktivistët me vete kishin banerin me porosi për Veselin në të cilin shkruante “Veriu nuk Ndahet, Perëndimi nuk Falet”, duke e lidhur këtë fjali me marrëveshjet për asociacionin dhe demarkacionin.

Faruk Mujka tha se përveç me policinë, aktivistët u penguan për t’iu afruar shtëpisë së Veselit edhe nga aktivistë të PDK-së.

“Disa eksponentë të PDK-së bashkë me policinë e Kosovën nuk na kanë lejuar t’i afrohemi shtëpisë për ta kryer një aksion simbolik,” tha Mujka.

Ai si pengues të aksionit përmendi me emra këshilltarin e Kadri Veselit Lulzim Zeqiri dhe zëdhënësin e PDK-së në Mitrovicë Mehdi Haxha.

Zeqiri tregoi për KALLXO.com se pse ishte i pranishëm afër shtëpisë së kryeparlamentarit.

“Unë jam këshilltar i Kadri Veselit, ndërsa arsyeja pse kam qenë i pranishëm është se e kam njoftuar babanë e Kadri Veselit me atë që planifikon ta bëjë ‘Vetëvendosja’,” tha Zeqiri.

Mehdi Haxha tha se u ndodh rastësisht te vendi ku “Vetëvendosja” planifikonte ta kryente aksionin dhe pastaj qëndroi për të shikuar se çfarë po ndodh, duke e ngritur shqetësimin me banorët tjerë të lagjes.

Vetëvendosja sot reagoi edhe ndaj lirimit nga paraburgimi të Azem Sylës, duke e cilësuar vendimin e gjykatës për lirimin e tij skandaloz.